KQZ-ja po i verifikon votat e balotazhit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është duke i verifikuar votat për kryetar, na balotazhi që u mbajt të dielën në 18 komuna. 

Procesi ka nisur të hënën në orën 10:00. 

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi, ka thënë se verifikimi ka filluar në të gjitha qendrat komunale të numërimit. 

Ai ka thënë se numërimi i votave me kusht, i atyre të personave me nevoja të veçanta dhe nga votave me postë do të filloj pas disa ditësh.

Elezi ka thënë se janë më shumë se 1440 qytetarë me nevoja të veçanta që kanë votuar përmes ekipeve mobile. 

Sipas tij, tërheqja e dërgesave nga votimi me potë do të bëhet së shpejti. 

Elezi ka thënë se në 18 komunat ku është zhvilluar balotazhi kanë qenë 29 mijë e 725 persona që kanë qenë të regjistruar për të votuar me postë. 

Të dielën qytetarët vendosën se kush do të udhëheqë në Prishtinë, Prizren, Pejë, Junik, Dragash, Gjakovë, Kaçanik, Fushë-Kosovë, Mitrovicë të Jugut, Rahovec, Suharekë, Gjilan, Viti, Vushtrri, Obiliq, Klinë, Mamushë dhe Kllokot.

20 komuna e kanë vendosur kryetarin në rundin e parë, i cili është mbajtur më 12 tetor.
Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja kanë fituar nga shtatë komuna, ndërsa PDK-ja 6 e AAK-ja 5. Lista Serbe i ka fituar 10 komuna. 

LVV-ja pasi fitoi në raundin e parë Podujevën, Shtimen dhe Kamenicën, në balotazh triumfoi edhe në Mitrovicë të Jugut, Gjilan, Obiliq e Fushë-Kosovë. 

LDK-ja në raundin e parë fitoi Lipjanin e Istogut, ndërsa në balotazh e fitoi Prishtinën, Pejën, Dragashin, Junikun e Vitinë. 

E PDK-ja në raundin e parë e fitoi Skenderajn, Ferizajn dhe Hanin e Elezit, e në balotazh e fitoi Prizrenin, Kaçanikun e Vushtrrinë. 

AAK-ja kishte fituar pa balotazh Deçanin, e në balotazh e fitoi edhe Gjakovën, Suharekën, Rahovecin e Klinën, komuna ku ka qeverisur.