Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në mbledhjen e sotme ka marrë vendim për rinumërimin e 16 kutive të votimit që i takojnë vendvotimeve të komunave të ndryshme.
Nga ky numër i përgjithshëm, 5 kuti votimi i takojnë zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave dhe 11 të tjera nga zgjedhjet për Kuvende Komunale.
Këto kuti u takojnë komunave Deçan, Drenas, Gjilan, Prishtinë, Prizren, Shtime dhe Suharekë.
Sipas Rregullores Zgjedhore për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, kutia e votimit rekomandohet për rinumërim në rast të konstatimit të mospërputhjeve, kur numri i nënshkrimeve në Listën e Votuesve është më i madh se numri i fletëvotimeve në kuti të votimit apo numri i nënshkrimeve në listën e votuesve është më i vogël se numri i fletëvotimeve në kuti.
Anëtari i KQZ-së, Sami Kurteshi, gjatë mbledhjes ngriti shqetësime për numrin e lartë të votimeve me asistencë, veçanërisht në Hanin e Elezin.
Ai theksoi se mbi 500 persona, që përbëjnë rreth 10% të votuesve, kanë votuar me ndihmë të një personi tjetër.
Sipas Kurteshit, gjysma e tyre janë deklaruar se kanë probleme me shikim, por ai vuri në dyshim besueshmërinë e këtyre të dhënave.
“Propozoj ndalimin e votimit me asistencë në rastet kur kjo dukuri shfaqet në përmasa të mëdha dhe të dyshimta. Të gjitha vendvotimet me numër të lartë të votimeve me asistencë duhet të shkojnë në rivotim”, ka thënë Kurteshi. /Telegrafi/
