Krejt çka dihet deri më tani për vdekjen e 25 vjeçares nga Kosova në Tetovë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të mërkurën në mbrëmje në Tetovë të Maqedonisë së Veriut.

Atje është gjetur pa shenja jete trupi i një 25-vjeçareje nga Kosova. Raportohet se ajo ka qenë studente në Tetovë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:00, derisa organet e rendit po hetojnë rrethanat nëse ka persona të tjerë të përfshirë, raportoi AlsatM.

Trupi i pajetë është gjetur nga kalimtarë të rastit, pas tregut të gjelbër në Tetovë.

Dyshohet se ajo kishte rënë nga një objekt në ndërtim e sipër, derisa në vendin e ngjarjes thuhet se janë gjetur edhe barna, siç raportoi Alsat-M. Dyshimet e para janë për vrasje, por nuk përjashtohen as pistat e tjera.

Organet e rendit janë në kërkim edhe të personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në rast.

Rastin e ka konfirmuar edhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup, e cila përmes një postimi në Facebook, tha se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet maqedonase.

“Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup është njoftuar nga Policia Rajonale e Tetovës se rreth orës 18:00, në një lagje të këtij qyteti është gjetur pa shenja jete një shtetase e Republikës së Kosovës. Ambasada ka vendosur menjëherë kontakt me autoritetet relevante policore dhe po e ndjek nga afër zhvillimin e rastit”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Detaje të tjera nuk janë bërë të ditura ende.