Pastrimi thotë se Përparim Rama po e pengon punën e tyre, kërkojnë nga ai që ta zgjasë dorën e bashkëpunimit

Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi”, në një reagim në Facebook kanë deklaruar se kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka disa muaj që ka filluar ta pengojë punën e tyre.

Në reagimin e tyre thuhet se Komuna e Prishtinës i ka borxh ndërmarrjes Pastrimi 2.7 milionë euro.

“Ka muaj që Kryetari Përparim Rama ka filluar të pengojë punën e KRM “Pastrimi”. Së pari duke shpallur tenderë të jashtligjshëm për të privatizuar shërbimin e pastrimit, e më pas duke bërë thirrje që faturat e pastrimit të paguhen në Komunë e jo në ndërmarrje. Për më tepër, dje publikoi një video ku ndër të tjera kërkoi subvencionimin për KRM “Pastrimi”. Sot, Kryetari Rama dhe asamblistët e tij të LDK-së e lëshuan sallën dhe kështu e pamundësuan miratimin e subvencionit. Pra vet bën thirrje për subvencion të ndërmarrjes, dhe vet e pamundëson votimin në Kuvend Komunal”, thuhet në njoftimin e tyre.

Tutje, theksohet se “Deri më sot, Komuna e Prishtinës i ka borxh ndërmarrjes Pastrimi 2.7 milionë euro. Në vend që Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, të angazhohet që të na ndihmojë të bëjmë zgjidhje për qytetin, ai ka vendosur të bëjë politikë me një ndër problemet kryesore të qytetit tonë”.

“E shfrytëzoj rastin që sikurse çdo herë tjetër, të ftojmë Kryetarin Rama që të takohet me ne dhe së bashku të mendojmë për zgjidhjet më të mira për qytetarët e për punëtorët e ndërmarrjes. Punëtorët e ndërmarrjes rrezikojnë të mbesin pa paga, kamionët e pastrimit pa karburante, e ndërmarrjes po i përgatitet falimentimi me veprimet e vetë Komunës”, vijon reagimi.

Mes tjerash, theksohet se “sa i përket menaxhmentit të ndërmarrjes, besoj që qytetarët e dinë që Auditori Shtetëror e ka renditur KRM “Pastrimin” në top 3 ndërmarrjet më të suksesshme në menaxhim, në Kosovë. Kjo falë punës së palodhur të të gjithë punëtorëve të ndershëm që çdo ditë punojnë që Prishtina të jetë më e pastër”.

“Në vend të përçarjes, kërkojmë publikisht nga Kryetari Rama që të zgjasë dorën e bashkëpunimit dhe së bashku të bëjmë zgjidhjet e duhura në të mirë të qytetarëve dhe punëtorëve”.