Kur dhe pse ata bëhen të huaj për njëri- tjetrin dhe dashurinë e kthejnë në refuzim?!

Po, është një moment, i padukshëm që shfaqet, jo tamam si një rrufe në qiell të kthjellët, kur dy njerëz që dikur janë dashuruar me zjarr, fillojnë të bëhen të huaj për njëri-tjetrin. Nuk është një çast i vetëm, as një ngjarje e madhe që e shkakton këtë ndarje të brendshme; është më tepër një rrëshqitje e ngadaltë, një grryerje, ku dashuria humbet elasticitetin e saj dhe lidhja fillon të humbasë peshë. Ajo që dje ishte afërsi, sot kthehet në ngërç; ajo që dje ishte dëshirë, sot bëhet lodhje; ajo që dje ishte përkushtim, sot ndjehet si barrë. Dhe kështu partnerët, pa e kuptuar, fillojnë të ftohen dhe të pajtohen me një largim që në fillim duket i përkohshëm, por më pas merr trajtën e një largimi të brendshëm të pakthyeshëm.

Psikologët e quajnë këtë proces “humbja e rezonancës emocionale”. Është ai çasti kur zemrat nuk përputhen më në ritmin e tyre, kur dialogu kthehet në monolog dhe kur partnerët pushojnë së dëgjuari thellësisht njëri-tjetrin. Në këtë vakum emocional, distanca rritet dhe, siç thekson Esther Perel, “hijes së heshtjes i del zëri i dytë”: mungesa e vëmendjes, mungesa e dëshirës, mungesa e përfshirjes.

Seksologët e shpjegojnë ndryshe: kur intimiteti fillon të shterojë, trupi e kupton më herët se mendja se lidhja po vyshket. Refuzimi i përhershëm, mosgatishmëria për afërsi, mungesa e prekjeve, mungesa e gjuhës trupore që dikur shkëlqente, krijojnë një barrikadë të padukshme mes partnerëve. Dhe atje ku trupi mbyllet, shpejt mbyllet edhe zemra. Është një mekanizëm mbrojtës: trupi refuzon atë që mendja nuk e pranon akoma.

Por filozofët e dashurisë e lexojnë këtë fenomen edhe më thellë. Erich Fromm thotë se dashuria nuk vdes nga konflikti, por nga neglizhenca; nuk shkatërrohet prej gabimeve të mëdha, por prej atyre vogëlsive të përsëritura që rrëzojnë themelet e intimitetit. Ndërsa Gibran shton se “distanca më e rrezikshme nuk është ajo e trupave, por ajo e shpirtit”.

Më pas vjen transformimi i fundit: kur dashuria nuk ka më ku të rrënjoset, ajo shndërrohet në refuzim. Refuzim i afërsisë, refuzim i komunikimit, refuzim i partnerit si qenie dhe si prani. Aty lindin fjalitë e hidhura, si ajo e famshmja “Shko dhe gjej dikë tjetër, vetëm të jetë më e mirë se unë”.

Kjo frazë, që shpesh del nga goja e grave të lodhura, nuk është as sakrificë, as fisnikëri, por një lloj alibie emocionale që shpalos gjendjen e brendshme të një marrëdhënieje në shterrim.

Psikologët do ta quanin shprehje e dorëzimit të heshtur, një mënyrë e tërthortë për të thënë se gruaja ndodhet në pikën e limitit emocional, ku nuk ka më kapacitet të japë afërsi, energji apo intimitet.

Psikologët e marrëdhënieve, si John Gottman, theksojnë se kur një partner fillon të përdorë fraza me natyrë larguese (“shko te dikush tjetër”, “unë s’jam më ajo që të duhet”), kemi të bëjmë me një fenomen që quhet withdrawal, tërheqje emocionale. Kjo është faza e tretë e shkatërrimit të marrëdhënies, që vjen pas kritikës dhe mbrojtjes, dhe i paraprin shpërbërjes pothuajse të pashmangshme të çiftit.

Por çfarë fshihet pas kësaj tërheqjeje?

Seksologët theksojnë se kur gruaja refuzon intimitetin, ajo nuk refuzon trupin e burrit, ajo refuzon barrën që ai përfaqëson në atë moment. Intimiteti në çift është pasqyra e gjendjes emocionale. Kur ajo pasqyrë thyhet, gruaja tërhiqet, shpesh në heshtje, duke hequr dorë nga prekja, afrimi, kontaktet që dikur ishin të natyrshme. Për Masters & Johnson apo Esther Perel, kjo formë refuzimi është shenja më e fortë që ajo ka humbur ndjeshmërinë dhe dëshirën për të qenë pjesë e marrëdhënies.

Mungesa e intimitetit krijon tek burri një boshllëk që ai e mbush me insistim, ankth, kërkesa, qarje të brendshme. Seksologët e quajnë këtë: reactive chasing, vrap i dëshpëruar pas një gjëje që largohet gjithnjë e më shumë.

Dhe sa më shumë ai kërkon, aq më shumë ajo tërhiqet.

Sa më shumë ai ngul këmbë, aq më e mbyllur bëhet ajo.

Kjo është spirala që paralizon çdo afërsi të vendosjes së marrëdhënies në nivelet e pritshmërive. Dhe gjasat janë të hyjë në jetët e dy partnerëve, ngulmi dëshpërues për të gjetur prehje e atyre që vuajnë nga mospranimi.

Psikoterapia familjare e interpreton frazën “gjej dikë tjetër” si një strategji mbrojtëse, jo si ftesë reale. Sipas psikologes Harriet Lerner, gratë shpesh nuk dinë të artikulojnë nevojat e tyre, mbi të gjitha atë të hapësirës emocionale. Ato përdorin refuzimin e intimitetit si mënyrë për të thënë:

“Jam e lodhur. Jam e tkurrur. Më është tharë dëshira sepse kam jetuar në mungesë të vëmendjes, respektit dhe ndjesisë së të qenit e parë.”

Refuzimi nuk është tradhti, është protestë.

Është një mënyrë për t’i thënë burrit: “Nuk funksionoj dot më në këtë marrëdhënie në këtë formë.”  Ata dorëzohen. Nuk funksionon asnjë tentativë për t’i ribërë gjërat, për të kthyer në jetë zjarrin që ata i thirri në bashkim dhe i telendisi në përbetime.

Mendimtarët e mëdhenj të marrëdhënies dhe intimitetit shpesh theksojnë se largimi fizik është pasojë, jo shkak.

Nietzsche thoshte se njeriu largohet nga aty ku nuk është më i lirë. Gruaja që thotë “shko te tjetra” shpall nevojën e saj për t’u liruar nga pesha që nuk e duron më.

Simone de Beauvoir shkruante se gruaja e pakënaqur nuk rebelohet me britma, por me heshtje. Dhe heshtja e intimitetit është protesta më e fortë dhe më e çiltër që ajo ka.

Rilke mendonte se marrëdhëniet vdesin jo nga mungesa e dashurisë, por nga mungesa e aftësisë për të parë dhe dëgjuar njëri-tjetrin. Refuzimi i intimitetit është tregues se partneri nuk është parë më, nuk është dëgjuar më, nuk është kuptuar më.

Kur gruaja thotë “gjej dikë tjetër”, ajo ka kohë që është larguar brenda vetes.

Kur burri e dëgjon, ai fillon të mbahet fort, të kërkojë, të mbytet emocionalisht. Kjo krijon një dinamikë të përmbysur:

• gruaja tërhiqet sepse është e lodhur;

• burri implikohet sepse ndihet i humbur.

Psikologët e quajnë këtë: qark vicioz i ankthit dhe tërheqjes.

Intimiteti bëhet fushë beteje, jo hapësirë për bashkim.

Frazat e tipit “shko dhe gjej dikë tjetër” nuk janë ftesa.

Janë epitafe të një marrëdhënieje që ka humbur frymën.

Ato lindin nga lodhja e gruas dhe nga insistimi i burrit.

Nga boshllëqet që nuk u mbushën kurrë.

Nga intimiteti që u venit pak nga pak, derisa u bë mur.

Sipas psikologëve, seksologëve dhe mendimtarëve:

aty ku intimiteti vdes, marrëdhënia mbetet vetëm trup pa shpirt.

Dhe çdo trup pa shpirt, herët a vonë, tretet.

Para se të shuhen, ata janë bërë tashmë të huaj për njëri-tjetrin. Psikologët e marrëdhënieve shpesh theksojnë se distanca nuk nis me zhurmë, por me heshtje; jo me shpërthime, por me mungesën e vogël të vëmendjes që grumbullohet si një zhavorr emocional. Shterrimi i aftësisë për të kuptuar dhe pranuar tjetrin, siç shprehet Esther Perel, është një proces i heshtur, një “erosion sistematik i afërsisë”, që i degdis partnerët çdo ditë e më larg. Intimiteti bëhet shprehja më e drejtpërdrejtë e këtij largimi, një barometër i lodhjes, i dështimit për të dëgjuar, për të parë, për t’u ndalur.

Seksologët nënvizojnë se refuzimi i seksit në një marrëdhënie nuk është thjesht mungesë dëshire fizike, por një simptomë e thellë e tensioneve të pashprehura, e zhgënjimeve të paadresuara, e barrës që akumulohet deri në atë pikë sa trupi nuk mund të pranojë më atë që shpirti ka kohë që e ka larguar. “Trupi flet i pari,” thotë klinicistja Lori Brotto, “edhe kur goja hesht.” Refuzimi i intimitetit është shpesh ulërima e butë e një lidhjeje që po humbet oksigjenin.

Kjo nuk është vetëm histori grash. Edhe burri, jo pak herë, bëhet pjesë e këtij rituali të ftohjes graduale. Të dy palët, në krizë, nuk mohojnë vetëm seksin, mohojnë edhe praninë, edhe vëmendjen, edhe rikthimin te vetvetja që dikur i bashkoi. Kjo ftohje është, siç shprehej Erich Fromm, “mosgatishmëria për të dashur çdo ditë nga e para”. Rutina i mpin. Paaftësia për t’i ribërë gjërat, për të riparë tjetrin nën të njëjtin dritë ku çeli lule dikur lidhja e tyre, i bën të kaplohen nga një ndjenjë ngopjeje të hidhur, të një mbingopjeje që përjashton, mbyll dhe fik.

Në një kuptim mizor, ky shterrim nuk është thjesht dështim i partnerëve, është një ligjësi e qenies njerëzore, një sfidë e pashmangshme e çdo marrëdhënieje që nuk ushqehet me energji, me ndjeshmëri dhe me vullnet për t’u rigjetur. Ashtu siç thotë psikoterapistja Terrence Real, “afërsia është një arenë ku humbet kush nuk lufton më.”

Në këtë pikë, zjarri i marrëdhënies nuk shuhet papritur; ai shuhet nga mungesa e druve. Dhe ashtu, pak nga pak, çifti që dikur flakëronte, mbetet në hije, secili i ftohtë përballë tjetrit, të dy të hutuar se si dashuria e dikurshme u mpak në këtë heshtje të rëndë që të dy e kanë ndërtuar.

Dhe vjen ai moment fatal: ai çast i hidhur kur partnerët jo vetëm që nuk e duan më njëri-tjetrin, por e refuzojnë me një neveri që s’pranon më as justifikime, as pajtime, as mundësi rikthimi. Psikologët e quajnë këtë fazë “inversion emocional”, kur ndjenjat kthehen në të kundërtën e tyre, kur dashuria e papërpunuar shndërrohet në zemërim të heshtur, zhgënjimi mpikset në urrejtje, dhe kujtimet e bukura ngjajnë si ironi të hidhura të një kohe që s’mund të rikthehet.

Ky moment është po aq i papritur sa është i padurueshëm, sepse shfaqet si epilogu i një drame që ka kohë që luhet në prapaskenë. John Gottman, studiuesi më i njohur i marrëdhënieve, do ta quante pikërisht këtë fazë “pika e kthimit emocional”, kur përçmimi merr drejtimin e timonit, dhe çdo gjë tjetër shuhet si pasojë. Partnerët nuk arrijnë më të shohin njeriun përballë; shohin vetëm plagët që ia kanë shkaktuar njëri-tjetrit.

Por, thellë, shumë thellë, nën të gjitha shtresat e refuzimit, frikës dhe idhëtisë, ende struket një fije e brishtë e asaj që dikur i lidhi. Seksologët shpjegojnë se kjo fije është kujtesa e trupit, ajo ngarkesë fizike e pasionit të dikurshëm që mbetet si hi i nxehtë nën një skenë që tashmë duket e vdekur. Ajo shkëndijë, po ajo që dikur u vunë zjarrin trupave të tyre, nuk zhduket plotësisht, por thjesht nuk ka më vend ku të ndizet, sepse muret emocionalë janë ngritur më lart se dëshira, më fort se dashuria, më rëndë se kujtimet.

Mendimtarët e marrëdhënieve, si Fromm dhe Perel, do të thoshin se kjo është tragjedia më e madhe njerëzore: jo humbja e dashurisë, por humbja e aftësisë për ta rikujtuar se si ishte të doje.

Në këtë pikë, çifti nuk përplaset më, thjesht shuhet. Dhe ajo që mbetet është një heshtje e ftohtë, në të cilën tingëllon ende, e largët dhe e padukshme, shkëndija e dikurshme që mund të digjte botën e tyre, por që sot nuk gjen më trup për ta ndezur as shpirt për ta mbajtur gjallë.