Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar në Samitin për Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian se ky plan është përgjigja e duhur për të përshpejtuar reformat.
Zyra e Kryeministrit ka njoftuar të martën se Kurti ka thënë në Shkup që vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për investime të linjëzuara me sigurinë ekonomike të BE-së, derisa tha se Bashkimi Evropian duhet t’i rrisë fondet. Sipas Kurtit, anëtarësimi sa më i shpejt i vendeve në BE lidhet me shtimin e fondeve.
“Plani i Rritjes i BE-së është përgjigjja e duhur për të përshpejtuar reformat. Ne kemi nevojë për investime të linjëzuara me sigurinë ekonomike të BE-së, dhe kemi nevojë për qasje në financim që përputhet si me ambicien tonë për reforma ashtu edhe me progresin tonë demokratik dhe vlerat e përbashkëta. Po, Plani i Rritjes premton më shumë fonde sesa ofron aktualisht IPA, por ne mund të bëjmë më shumë. BE-ja mund dhe duhet t’i rrisë fondet, dhe ne mund dhe duhet të përshpejtojmë reformat”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka thënë se vendet që synojnë integrimin duhet të përshpejtojnë procesin e reformave.
Kurti ka folur edhe për çështjen e sigurisë dhe situatën aktuale në botë, ku tha se mirëpret veprimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për parandalimin e Iranin të pajiset me armë bërthamore. Ai tha se lufta në Ukrainë po vazhdon ta kërcënojnë sigurinë evropiane.
“Më lejoni që shkurtimisht të trajtoj në fund çështjet e sigurisë, të cilat janë një parakusht për rritje. Si rajon, ne nuk jemi të izoluar nga peizazhi gjeopolitik global. Lufta e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës vazhdon të kërcënojë sigurinë evropiane, teksa tensionet në Lindjen e Mesme kontribuojnë edhe më tej në paqëndrueshmërinë globale. Ne mirëpresim veprimin e Shteteve të Bashkuara për të parandaluar Iranin të pajiset me armë bërthamore. Bota është padyshim më e sigurt pa arsenale bërthamore në duart e regjimeve autoritare. Takimi ynë sot vjen vetëm disa ditë pas Samitit të NATO-s në Hagë, ku u riafirmua angazhimi për të rritur shpenzimet e mbrojtjes në 5% të Bruto Prodhimit Vendor. Ne e mirëpresim këtë angazhim. Është një hap i nevojshëm si për të mbrojtur aleancën euroatlantike ashtu edhe për të frenuar regjimet autokratike nga provokimi i konflikteve të mëtejshme. Një Evropë më e fortë është një Evropë që mund të mbrojë veten”, thuhet tutje në njoftimin e Zyrës.