Kurti fton Blerim Shalën për përfshirje në dialog, kundërshtohet nga Haki Abazi

Deputeti i LVV-së, Haki Abazi ka dalë kundër kryeministrit Albin Kurti, pasi në media u raportua se ky i fundit ka kërkuar përfshirjen e Blerim Shales dhe Veton Surroit në dialogun me Serbinë.

Abazi përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se “roli i Blerim Shalës në dialogun e udhëhequr nga Thaçi, ka qenë joproduktiv”, përcjell Demokracia.com.

Ky reagim i tij vjen pas raportimit të Klan Kosova, sipas burimeve të së cilëve, Kurti u ka bërë ftesë Shalës e Surroit për përfshirje në dialog.

Postimi i plotë i Abazit:

Roli i Blerim Shales në dialogun e udhëhequr nga Hashim Thaçi, ka qenë joproduktiv dhe në përkrahje të degradimit të subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës. Procesi i deritanishëm i dialogut ka prodhuar dëme vështirë të riparueshme, e ka dobësuar pozitën negociuese të Kosovës, dhe ka krijuar rrethana të favorshme për Serbinë.
Në asnjë mënyrë nuk duhet të aplikohet mendësia e vjetër e aq me pak të sigurohet pjesemarrje pa legjitimitet qytetarë në nje proces kaq jetik të individëve që kanë kontribuar në rezultatet negative të shtetndërtimit në dekadën e kaluar.