Kurti: Marrëveshja e Kosovës me Serbinë për fluturime ishte veç shprehje e interesit, jo marrëveshje

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se marrëveshja e nënshkruar në Munih ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e ambasadorit Richard Grenell për linjën e fluturimeve Prishtinë – Beograd, ende nuk është një marrëveshje.

Kurti të hënën së bashkë me ministrin në detyrë të Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, vizitoi Autoritetin e Aviacionit Civil (AAC) dhe ndër të tjera foli edhe për atë marrëveshje.

Ai tha se për t’u shndërruar në marrëveshje, ajo duhet të kalojë edhe nëpër shumë hapa të tjerë, por që për shkak të pandemisë edhe kjo çështje si shumë të tjera “janë ngrirë”.

“Ne e dimë versioni final të marrëveshjes që mua më është prezantuar me vonesë, pra atëherë kur edhe negocimi edhe draftimi kishin përfunduar. Mund të them që jemi për sa më shumë bashkëpunim rajonal, por ky bashkëpunim rajonal duhet t’i ketë dy gjëra themelore parasysh: e para, kushtetutshmëria e ligjshmëria dhe e dyta, rentabiliteti ekonomik. Të gjitha bashkëpunimet tona të cilat përfshijnë bashkëpunimin ekonomik duhet të jenë të leverdishme dhe të qëndrueshme. Ajo nuk është një marrëveshje, por një shprehje e vullnetit, duhet të kalojë edhe shumë hapa të tjerë që të kthehet në marrëveshje, por jemi në kushte pandemie që ka ngrirë një varg aktivitetesh e procesesh, e duket që një prej tyre është edhe kjo”, ka thënë Kurti.