Xhavit Haliti

Ky është rendi i ditës i seancës konstituive e cila nis në orën 17:00

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të zhvillohet sipas një rendi të ditës që përmban katër pika kryesore, të përcaktuara me rregullore. Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm pas zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve.

Sipas rendit të ditës, fillimisht parashihet formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve të deputetëve. Pas këtij hapi, deputetët do të bëjnë betimin solemn.

Më pas, procedohet me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, i cili propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve.

Në vijim, do të bëhet edhe zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit. Tre prej tyre propozohen nga tri grupet më të mëdha parlamentare, ndërsa dy të tjerë nga komunitetet joshumicë – një nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet e tjera.

Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese ditë më parë ka marrë një vendim që i jep të drejtë të pakufizuar Listës Serbe, si shumicë brenda komunitetit serb, që të propozojë kandidatin për nënkryetar të Kuvendit, edhe në rast se shterohen të gjithë emrat e deputetëve të saj.

Sipas kryetarit të deritashëm të Kuvendit, Dimal Basha, këtë herë ekziston dakordim mes partive parlamentare që votimi për nënkryetarët të bëhet në pako, duke shmangur votimet e ndara për secilin kandidat.

Seancën konstituive e drejton deputeti më i vjetër në moshë, i asistuar nga deputeti më i ri. Në këtë seancë nuk parashihet debat parlamentar, pasi procedura është kryesisht formale dhe e rregulluar qartë me aktet përkatëse.