Leo Messi “çmend” tifozët në Amerikë

Në Amerikë mjafton të përmendësh emrin e Lionel Messi dhe tifozët çmenden. Ylli argjentinas ka patur një impakt të jashtëzakonshëm në Major League Soccer, duke tërhequr interes të jashtëzakonshëm.

Së fundmi drejtuesit e Columbus Crew u detyruan që të ndryshonin stadiumin për ndeshjen kundër Inter Miami, sepse impianti kishte vetëm 20 mijë vende, ndërsa kërkesat ishin 3-fish më të larta.

Përballja u spostua në Huntington Bank Field, stadiumin ku luajnë skuadra e futbollit amerikan, Cleveland Browns. Spostimi kishte efekt pozitiv, sepse të pranishëm në tribuna ishin më tepër se 60 mijë e 600 spektatorë.

Ky është numri më i lart i tifozëve të pranishëm në këtë impiant për një aktivitet që nuk është futbolli amerikan. Një rekord më vete, që nuk është larg primatit historik me 73 mijë e 700 spektatorë të pranishëm, i vendosur në vitin e largët 2002.

Për sa i takon ndeshjes, Inter Miami i Lionel Messi-t fitoi 1-0 falë golit të Benjamin Cremaschi.