Zv.kryeministrja e Shqipërisë, Belinda Balluku, ka prezantuar sot Liburn Aliun si drejtorin e ri të Portit të Durrësit, një nga projektet strategjike më të rëndësishme për rajonin.
Gjatë prezantimit, Balluku vlerësoi karrierën e gjatë të Aliut në ekzekutiv dhe përvojën e tij në fushën e zhvillimit dhe bashkëpunimit ndërshqiptar.
“Me një karrierë të gjatë në ekzekutiv dhe padyshim një koleg i mirë, i cili Kosovën dhe Shqipërinë i ka parë gjithmonë si treg të përbashkët të zhvillimit,” tha Balluku.
Ajo shtoi me humor se Aliu “do të jetë dhëndër Shqipërie”, duke theksuar lidhjet e forta që tashmë i bashkojnë dy vendet.
“Do jetë dhëndër Shqipërie, anon më shumë nga qytetari i Shqipërisë tanimë, megjithatë e thamë, porti është i gjithë shqiptarëve,” tha Balluku.
Emërimi i Liburn Aliut shihet si hap drejt forcimit të bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Kosovës, veçanërisht në zhvillimin e infrastrukturës detare dhe lehtësimin e qarkullimit tregtar në Portin e Durrësit.