Limaj për ish-presidentin Rugova: E kam pritur gjatë luftës të më vijë në Bjeshkët e Berishës

Kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj, ka treguar ngjarjen kur ka pritur në zonën ku operonte ky i fundit përgjatë kohës së luftës, ish-presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova, pasi ka marrë një lajm se po ikën nga Sllatina për shkak të forcave serbe.

Limaj, përgjatë një emisioni në ‘Kanal10’ ka deklaruar se i kishte ardhur një informacion nga zyra e presidentit në Prishtinë se Rugova kërkonte të vinte në Bjeshkët e Berishës, informacion ky që kishte rezultuar i rremë.

“Unë e kom pritë presidentin Rugova në 1999, se më ka ardhë lajmi në luftë, se presidenti po e lëshon Sllatinën dhe po vjen në Bjeshkë të Berishës. Jemi dalë me e pritë. Më ka thanë me nejtë një natë a dy e me vazhdu për në Shqipëri”, ka deklaruar Limaj.