Sunny Hill Festival

Limaj: Sqarimet që kërkoi Osmani hapin rrugë për zgjidhje

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se në Kosovë mbizotëron një situatë tjetër pas 22 korrikut, kur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për sqarime, lidhur me atë se çfarë do të ndodhë pas datës 26 korrik, në rast se deri atëherë nuk konstituohet Kuvendi i Kosovës.

Osmani kërkoi edhe një masë të përkohshme për pezullimin e afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit – afat ky që ka filluar të llogaritet nga 26 qershori, data kur Kushtetuesja ka marrë vendimin.

Limaj tha se kjo kërkesë e ndihmon procesin e konstituimit të Kuvendit.

“Është edhe në interesin e partive politike që të pritet vendimi i Gjykatës në të dyja drejtimet, por edhe t’u jepet mundësia atyre që në këtë kohë – nëse ka masë të përkohshme – të gjendet një zgjidhje dhe të vihet te një shumicë parlamentare”, tha Limaj.

Ai është në negociata me Albin Kurtin, udhëheqës i partisë më të madhe, Lëvizjes Vetëvendosje, dhe kryeministër në detyrë, i cili ka shprehur gatishmëri për të qeveriur me Nismën e Limajt.

“Nisma do të ndihmojë në zhbllokimin e situatës me aq sa ka mundësi. Kemi pasur disa takime me kryeministrin, opsionet i kemi në tavolinë – edhe nga Vetëvendosja, edhe nga Nisma”, tha Limaj, pa sqaruar nëse janë afër ndonjë marrëveshjeje.

“Ftesa ime është që ta shfrytëzojmë maksimalisht këtë mundësi që ka dhënë presidentja e Republikës, e shpresoj edhe Gjykata Kushtetuese, dhe të shkojmë drejt një zgjidhjeje përfundimtare, jo parciale”, shtoi ai.

Limaj foli para gazetarëve, pasi kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, e ndërpreu të mërkurën seancën, duke thënë se nuk ka kushte për zhvillimin e saj.

Kjo ndodhi pasi deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ia largoi mikrofonin.

Paraprakisht, Dehari nuk e lejoi atë të debatonte për çështje të tjera jashtë rendit të ditës.

Në seancë ishte e paraparë të bëhej përpjekja e 51-të për konstituimin e Kuvendit.

Dehari e caktoi mbledhjen e radhës për datën 25 korrik, ndërkohë që afati kushtetues për konstituimin e institucionit ligjvënës skadon vetëm një ditë pas.