Policia e Kosovës ka njoftuar se për shkak të organizimit të maratonës ndërkombëtare “Prishtina 2025”, të dielën do të bllokohet qarkullimi në disa rrugë në Prishtinë.
Policia ka njoftuar se ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura policore për të ofruar siguri për të gjithë pjesëmarrësit si dhe ka ndërmarrë masat e nevojshme për të përcaktuar lirimet, kufizimet, bllokimet e plota apo të pjesshme të segmenteve të caktuara rrugore, me qëllim të rregullimit të qarkullimit rrugor dhe drejtimit të trafikut, në mënyrë që të krijohet rrjedhshmëri normale në trafik .
“Policia e Kosovës, do të ndërpres qarkullimin e automjeteve rrugën Prishtinë – Fushë Kosovë në drejtim të Pejës dhe anasjelltas, deri te nyja (kyçja në autostradën Ibrahim Rugova). Plani do të filloj të zbatohet të dielën (28.09.2025), duke filluar nga ora 09:00 deri në përfundim të maratonës”, thuhet në njoftim.
Për të përballuar sa më lehtë rrethanat që do të paraqiten në qarkullimin rrugor, Policia ka kërkuar ndihmën dhe mirëkuptimin e gjithë qytetarëve dhe ka lutur qytetarët t’i ndjekin udhëzimet e saj.
