Arsa Alija, mbesa e dëshmorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Muhamet Alija, ka lansuar këngën me titull “Gjyshit tim”, një krijim që i kushtohet gjyshit të saj hero.
Muhamet Alija ra dëshmor në vitin 1998, shumë përpara se Arsa të vinte në jetë. Megjithatë, mungesa fizike nuk e ka penguar atë që të ndjejë një lidhje të thellë shpirtërore me gjyshin, të cilin e njeh vetëm nga rrëfimet e familjarëve dhe fotografitë e tij.
Përmes kësaj kënge, Arsa i jep zë emocioneve të saj dhe e shpreh me krenari dashurinë dhe respektin për figurën e gjyshit, që u flijua për lirinë e Kosovës.
Në vargjet e saj, Arsa “i tregon” gjyshit se sa është rritur, duke dëgjuar rrëfimet dhe kujtimet për gjyshin që nuk pati rastin ta takojë kurrë.
Me zërin e saj engjëllorë dhe mesazhin e fuqishëm, ajo i kujton të gjithëve se sakrifica e dëshmorëve jeton përtej brezave.
Klipi i këngës “Gjyshit tim” nga Arsa Alija, është realizuar në Shqiponjë, në vendin ku prehen të gjithë dëshmorët e Komunës së Gjakovës, derisa është realizuar nga Produksioni “Inframe”.