Mbi 11300 raste aktive me koronavirus, masat e reja varen nga numri i infektimeve

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik bën të ditur se numri total i rasteve pozitive është 47.203 raste nga 165.583 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.220 raste të vdekjes.

IKSHPK njofton se numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 34.637 raste, kurse numri i rasteve aktive është 11.346.

Ndryshe, një ditë më parë ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj gjatë raportimit në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale lidhur me menaxhimin e situatës me COVID-19 tha se rënia e rasteve me coronavirus ka ardhur për shkak të masave të cilat janë ndërmarrë.

Ai tha se masat e reja ndërmerren varësisht numrit të të infektuarve në vend, ndërsa shqetësuese e quajti numrin e lartë të vdekjeve.