Ministri i Arsimit paralajmëron angazhimin e 1000 mësimdhënësve ndihmës për vitin e ri shkollor

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj, ka folur rreth fillimit të vitit të ri shkollor 2020/2021.

Likaj tha se janë bërë të gjitha përgatitjet duke theksuar se ministria ka paraparë që të përfshijë edhe 1 mijë mësimdhënës ndihmës.

“E kemi shprehur gatishmërinë që ta fillojmë vitin e ri në shtator. Deri tani kemi përgatitur një udhëzues të përgjithshëm. Në kuadër të planit buxhetor kemi paraparë që t’i përfshijmë edhe 1 mijë mësimdhënës ndihmës, të cilët do t’i ndihmojnë arsimtarët që kanë probleme shëndetësore ose në shkollat e mëdha, nëse duhet me i nda nxënësit, ata do ta kryejnë këtë punë”, ka thënë Likaj.

Ministri Likaj i ka mbledhur drejtorët komunalë të Arsimit dhe Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, për të vendosur për mënyrën se si do të nisë mësimi në vitin e ri shkollor.

Ministria ka dhënë tri opsione për vitin e ri shkollor: kthimi në shkollë, mësimi i kombinuar në shkolla dhe online dhe opsioni i fundit mësimi online përmes platformës E-Mësimi.