Ministri Mustafa: Dyfishohet buxheti për pagesat direkte në bujqësi

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka dyfishuar buxhetin për pagesat direkte/subvencionet për vitin 2020. Për përkrahjen e fermerëve përmes subvencioneve, do të jenë edhe 26 milionë euro shtesë, krahas 53 milionë eurove të buxhetit të rregullt. Në total buxheti për subvencione është në shumë prej 79 milionë euro.

 Kjo është bërë e mundur përmes një vendimi të Qeverisë së Kosovës, pas kërkesës së Ministrit të MBPZhR-së, Besian Mustafa për rritjen e buxhetit për këtë program mbështetës.

”Këto mjete do të përdoren për të ndihmuar bujqit tanë të tejkalojnë sfidat e mungesës së shitjes që u shkaktoi COVID-19 sivjet, për të rritur prodhimin bujqësor vendor, për të rritur punësimin në zonat rurale, për të zvogëluar importin e produkteve bujqësore dhe për të rritur sigurinë e ushqimit që konsumojnë familjet tona”, ka thënë Ministri Mustafa.

Po ashtu, Mustafa ka njoftuar se do të subvencionohen edhe normat e interesit të kredive bujqësore për disa sektorë të caktuar të bujqësisë.