Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, do të dalë sot para mediave në një konferencë që pritet të zgjojë interes të madh publik, vetëm dy ditë pas ngritjes së aktakuzës ndaj saj dhe dy zyrtarëve tjerë të MINT-it për keqpërdorim të rezervave shtetërore.
Konferenca do të mbahet sot, më 14 nëntor 2025, në ora 15:00, në objektin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).
Ndonëse agjenda e konferencës nuk është bërë publike, pritet që ministrja Hajdari të adresojë akuzat e Prokurorisë, e cila e ngarkon atë dhe dy zyrtarët e tjerë me veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare” në lidhje me menaxhimin e rezervave shtetërore.
Rasti ka hapur debat të gjerë publik dhe politik, ndërsa pritet që deklarimi i Hajdarit sot të hedhë më shumë dritë mbi pozicionin e ministrisë dhe hapat e saj të mëtejshëm.