MSH-ja arsyeton çmimin 200 euro për testin PCR, thotë se është test i shpejt dhe rezultati del për një orë

Ministria e Shëndetësisë ka lëshuar një komunikatë për media pas raportimit se testi PCR në laboratorin privat në Prishtinë të licencuar për kryerje të testeve të tilla për COVID-19, po kushton 200 euro.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se testi PCR (genex covid test) i cili po kushton 200 euro, është test i shpejt, dhe rezultatet dalin për 45-60 minuta. E po ashtu ka njoftuar se testi normal PCR kushton 65 euro e ato serologjike sillen prej 15 deri 30 euro.

MSH-ja ka njoftuar se deri më tash janë licencuar 118 laboratorë për testime për COVID-19, prej tyre 116 për të kryer teste serologjike e dy për të kryer PCR. E për teste PCR ka njoftuar se po kryen momentalisht vetëm ai në Prishtinë, pasi laboratori në Lipjan nuk ka dëshmuar se mund të kryej testet në përputhje me standardet e kërkuara pasi që është inspektuar nga Inspektorati Shëndetësor.

“Në institucionin privat shëndetësor që ofron teste molekulare, sipas informacioneve të siguruara, testi PCR kushton 65 euro, ndërsa testi tjetër PCR (genex covid test), rezultatet e të cilit jepen brenda 45-60 minutash deri në 200 euro. Është plotësisht në të drejtën e qytetarit nëse do të zgjedh të kryej një test serologjik apo PCR test sikurse edhe çmimin të cilin do ta paguaj. Asnjë institucion nuk e ka të drejtën që qytetarit t’i kërkojë të paguajë më shumë se çmimi i deklaruar dhe për të cilin duhet ta informojë paraprakisht. Me që MSh nuk i përcakton çmimet e këtyre shërbimeve, i ka inkurajuar qytetarët që nga fillimi i procesit që para se të testohen, të pyesin për llojin e testimit që do të bëjnë, rëndësinë dhe vlerën e tij, dallimet midis testimeve dhe, gjithashtu, për çmimin që do të paguajnë. U ka bërë thirrje që çdo vërejtje të argumentuar ta adresojnë tek Inspektorati Shëndetësor dhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës”, është thënë nga MSH-ja.

MSH-ja u ka bërë thirrje institucioneve private të licencuara të mos keqpërdorin situatën në dëm të qytetarëve dhe t’i informojnë ata para testimit me gjitha detajet e nevojshme.

Po ashtu ka thënë se IKSHPK-ja vazhdon të kryejë testime molekulare pa pagesë për qytetarët sipas kategorive të rekomanduara e prioritare siç janë:

 -Të gjitha rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive, klinikat e tjera dhe repartet në shërbim të pacientëve COVID19;

 – Pacientët e udhëzuar nga KPSH me infeksione të rënda respiratore;

 – Personeli shëndetësor me shenja dhe simptma infeksioni dhe personeli që ka pasur kontakt të afërt dhe të pambrojtur me persona të konfirmuar me SARS COV2;

 – Kontaktet e afërta të personit COVID19 pozitiv të cilët kanë shenja dhe simptoma ë COVID-19

 – Personat e moshuar dhe personat me sëmundje kronike (sëmundje të mushkërive, kancer, insuficiencë të zemrës, sëmundje cerebrovaskulare, sëmundje renale, sëmundje të mëlqisë, hipertesnion, diabet dhe gjendje imunokompromituese);

 – Shtetasit e Kosovës që udhëtojnë për trajtim mjekësor jashtë vendit me dokumentacion valid përcjellës mjekësor.

Po ashtu ka thënë se do të rritet numri i testimeve.

Ndaj çmimit 200 euro për testin PCR ka reaguar edhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.

“Të nderuar qytetarë. Kam pranuar dhjetëra ankesa nga ju, se njëra nga laboratorët e licensuar ka kryer shërbimin e PCR për Sars Cov 2 në vlerë prej 200 euro. Siç jeni të gjithë të njoftuar, AKK është duke e monitoruar këtë proces me kujdes, dhe posedon listën e çmimeve te secilit laborator te licensuar. Siç jeni të gjithë të njoftuar, AKK këtë shërbim e ka cilësuar si aktivitet ekonomik të interesit publik e rrjedhimisht interesit shtetëror. Tani, nëse laboratori në te cilin ju jeni ankuar ka vendosur çmim në vlerë prej 200 euro për test PCR dhe e ka deklaruar një çmim tjetër në AKK, ky laborator potencialisht ka bërë këto shkelje:

1. Mashtrim – vepër penale

2. Autoriteti mund të ushtroj kallxim penal ne prokurorinë speciale nëse është konsumuar vepra penale Mashtrim.

2. Ka vendosur AKK në lajthitje dhe ka ofruar informacione të pa sakta – personi përgjegjës denohet 1000-3000 euro, dhe ndërmarrja denohet deri ne 2% të qarkullimit vjetor.

3. Ka kryer shpërdorim të pozitës dominuese, mund të denohet deri në 10% të qarkullimit vjetor.

3. Autoriteti në javen ne vijim, mund ta përdor instrumentin ligjor, masat e përkohshme- mbyllje të veprimtarisë deri ne 6 muaj”, ka shkruar kryetari i AKK-së, Valon Prestreshi në Facebook.

Laboratori i vetëm privat në Kosovë që po bën teste molekulare PCR për Sars-CoV2, Medical Laboratory Services në Prishtinë, ka njoftuar se 200 euro është çmimi i testit rapid “GeneExpert Sars COV-2”, sipas të cilit rezultati del brenda 45 minutave.

Madje nga ky laborator është thënë se çmimi për këtë lloj testi është më i ulët se në vendet evropiane.

Nga ky laborator është thënë se testi më i besueshëm është ai PCR Real Time, me të cilin po testohen qytetarët edhe në IKSHPK. Por me këtë lloj testimi rezultati del brenda 48 orëve dhe se kushton në laborator 65 euro.