Murati: Projektligji për rimëkëmbje ekonomike, i tillë vetëm në emërtim

Kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Transfere në Kuvendin e Kosovës dhe deputeti i VV-së, Hekuran Murati ka thënë se Projektligji për rimëkëmbje ekonomike është i tillë “vetëm në emërtim”.

“Kushdo që e ka lexuar atë, e sheh se nuk ka asgjë për rimëkëmbje ekonomike. Gjithsej 6 faqe”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Përpjekjen e sërishme për ta hedhur në votim këtë projektligj dhe dështimin e kalimit të tij e ka quajtur “më tepër çështje të populizmit dhe hipokrozisë së deputetëve. Në këtë seancë, që ishte vazhdim, u provua të hidhej në votim dhe u pa se koalicioni i ka vetëm 41 vota. Opozita s’mundet ta bllokojë një koalicion që i ka 61 vota”.

Murati është pyetur kësisoj se “pse 20 deputetë të koalicionit nuk janë duke e kryer punën”.

Ai ka mohuar se opozita bën qëllimshëm një veprim të tillë.

“Kjo mund të jetë efekt anësor, shpërfaqja e jolegalitetit të kësaj qeverie”, ka thënë ai.

Murati e ka elaboruar këtë gjë, ndërkohë që ka thënë se Vetëvendosje ka qenë “parimore që nga fillimi”.

“Kemi pasur subjekte si PDK-ja, që kanë pasur evoluim në qëndrime. Ne si VV i kemi paraqitur qysh në fillim qëndrimet tona. Kemi konsistencë të qëndrimeve dhe këto rrjedhin për shkak të parimeve. Parimi është se nuk mund të ketë rimëkëmbje ekonomike me këtë projektligj”, ka thënë ai.

Murati ka vazhduar akuzat ndaj qeverisë, duke thënë se ajo nuk ka “as ide dhe aftësi”.