Muriqi mungon në tri ndeshjet e Kosovës

Përkundër insistimit të madh të Federatës së Futbollit të Kosovës, dëshirës së madhe të futbollistit dhe bashkëpunimit korrekt të klubit të Lazios, Vedat Muriqi megjithatë e ka të pamundshme të paraqitet për Përfaqësuesen e Kosovës në tri ndeshjet në vijim – thuhet në një njoftim të FFK-së.

Futbollisti ka pasur sot testet e fundit në klubin e Lazios dhe në kokën e tij gjithçka ishte e qartë që pas këtyre testeve ai do të nisej për Kosovë.

“Informata që ka rrjedhur në faqen zyrtare të Lazios, se futbollisti do të jetë në grumbullim me Kombëtaren edhe pse është një gabim, e konfirmon që gjithçka ishte planifikuar që Muriqi sot të udhëtojë për Kosovë dhe të jetë me ekipin, mirëpo testet e sotme e treguan qartë se gjendja fizike nuk e lejon atë që në asnjë formë të jetë pranë bashkëlojtarëve të ekipit Kombëtar”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, në publikimin e faqes zyrtare të Biancocelestëve, emri i Vedatit ishte në listën e futbollistëve të cilët janë të angazhuar me skuadrat e tyre përfaqësuese dhe thuhej se do të jetë me Kosovën në datat e rëndësishme.