Mustafa konfirmon dorëheqjen nga pozita e kryetarit të LDK-së, thotë se rezultati i zgjedhjeve ishte shumë i keq

Isa Mustafa pas mbledhjes së kryesisë së LDK, para mediave ka konfirmuar dorëheqjen e tij nga pozita e kryetarit të LDK-së.

Mustafa ka thënë se rezultati i zgjedhjeve ka qenë shumë i keq për LDK-në.

“Kishim mbledhjen e kryesisë që e thirra unë pas rezultateve të zgjedhjeve. Rezultati është shumë i keq për LDK-në, rezultat që ne nuk e kemi pritur fare as nga puna në teren e as nga puna që ka bërë kryeministri Avdullah Hoti. Qytetarët e thanë fjalën e tyre përmes votës dhe në shenjë të respektimit të kësaj vote, unë sot e kam njoftuar kryesinë se do ta thërras kuvendin e LDK-së për zgjedhjen e kryetarit të ri në një periudhë të shpejtë kohore me statut e kemi 60 ditë që ta bëjmë këtë mirëpo unë do ta bëjë më shpejtë këtë”, ka thënë Mustafa.

Mustafa theksoi se bartë përgjegjësinë si kryetar i LDK-së për atë se çfarë ju ka ndodhur në këto zgjedhje.

“Dua ta ruaj LDK-në dhe dua që LDK-ja të fuqizohet dhe të rikthehet si forcë e rëndësishme politike sepse i nevojitet Kosovës”, u shpreh Mustafa.

Ai ka shtuar se së shpejti Kuvendi do ta zgjedh kryetarin e ri, dhe se për momentin nuk kanë caktuar ushtrues detyre.


Ndërsa, Lutfi Haziri ka thënë se nuk flitet për ndonjë emër që do ta zëvendësojë, por që për momentin janë kryesi në dorëheqje.