Mustafa vlerëson votën e deputetëve të PDK-së për buxhetin

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka vlerësuar përkrahjen e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, në votimin e amendamenteve të propozuara në Kuvend dhe aprovimin e ndryshimeve të buxhetit. 

Mustafa tha se aprovimi i ndryshimeve të buxhetit do të hapë mundësi në rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit dhe se përmes tij do të luftohet pandemia që ka shkaktuar koronavirusi. 

Tutje, i pari i LDK’së vlerësoi përkushtimin e deputetëve të pozitës dhe sidomos të PDK’së, që në këto rrethana kapërcyen interesat politike-partiake dhe votuan amendamentet e propozuara për ndryshimin e buxhetit. 

“Aprovimi i ndryshimeve të buxhetit, të cilat hapin mundësi për fokusim më të madh në luftë kundër Covid-19 dhe rimëkëmbje ekonomike flet qartë për një vetëdije të deputetëve që kapërcen interesat e ngushta partiake. Vlerësoj lartë përkushtimin e deputetëve të pozitës dhe përkrahjen e rëndësishme, sidomos të deputetëve të PDK-së në këto rrethana të rënda për vendin”, ka shkruar Mustafa. 

Në fund, kreu i LDK’së tha se beson në implementimin e zotimeve të qeverisë së kryeministrit Avdullah Hoti. 

“Besoj se Qeveria do të veprojë me efikasitet në implementimin e zotimeve të saj”, përfundoi Mustafa.