Nasim Haradinaj sot del para Gjykatës Speciale

Nënkryetari i OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj, do të dalë sot para gjykatës në Hagë si i dyshuar për pengim të drejtësisë.

Haradinaj u arrestua më 25 shtator në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim, të lëshuara nga një gjykatës i Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Haradinaj do të paraqitet si i dyshuar për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, të parapara në Kodin Penal të Kosovës, sikurse përfshihen në nenin 15(2) të Ligjit nr. 05/L-53 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Seanca do të mbahet sot në orën 15:00 dhe do të transmetohet edhe në internet.