Ndërpritet seanca e Kuvendit për mungesë kuorumi

Në mungesë kuorumi është ndërprerë seanca e sotme.

Nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci ka njoftuar se në sallë ishin vetëm 44 deputetë, me çka pamundësohet vazhdimi i saj.

Për vazhdimin e seancës, Nagavci tha se do të vendosë Kryesia.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi dhe deputetet e Lëvizjes Vetëvendosje, janë përplasur për numrat në Kuvend para se të përfundonte seanca.

Nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci ka thënë se në sallë ishin 25 deputetë të Vetëvendosjes, duke shtuar se kur t’i sigurojnë votat mund t’i njoftojnë.

“Për hir të korrektësisë ju njoftoj që pa u konstatuar kuorumi nuk mund të vazhdohet tutje janë 2 interpelanca dhe 12 pika tjera. Për të vazhduar këtë seancë duhet të jenë minimumi 61 vota të siguruara nga koalicioni qeverisës. Kemi 25 deputetë të LVV-së. Kurdo që e siguroni numrin e pranishëm të deputetëve na njoftoni dhe vazhdojmë”, ka thënë ajo.

Ndërkaq Gashi ka thënë se përgjegjësi mbajnë vetëm për deputetët e LDK-së.

“PDK-ja me sa di ka deklaruar mungesë për një javë. Ne jemi këtu kurdo që dëshironi ta mbani seancën, nuk garantoj që është e njëjta edhe për Qeverinë. Po më çuditni me këto konstatime për koalicionin. Ky është Kuvend i Kosovës deputetët e kanë obligim të vijnë në seanca. Vendimet që kanë të bëjnë si propozime të koalicionit janë çështje tjetër pra mos i ngatërroni gjërat. Koalicioni vendimet e veta duhet t’i shtyjë përpara. Nuk mund të abuzoni kështu nga pozita e kryetares së Kuvendit, nuk është e drejtë”, ka thënë ai.