Sunny Hill Festival

“Në emër të 1000 zemrave të thyera” – një dëshmi tronditëse nga provimi pranues në Fakultetin e Mjekësisë të UP-së

Shkruan: Klesta Ismaili

Ndonjëherë jetojmë jetën dhe e vazhdojmë atë duke u munduar të kapim ëndrrat tona, duke menduar se drejtësia triumfon edhe këtu në vendin tonë! Themi se nuk kemi nevojë të shikojmë jashtë kur kemi Kosovën. Nuk e di, këtë mendim për drejtësi a na ushqen dashuria që kemi për vendin tonë apo shpresa që kemi për të arritur atë që duam!

Po flas sot në emër të 1000 zemrave të thyera, 1000 ëndrrave të shuara, 1000 udhëtimeve të ndalura në gjysmë për shkak të padrejtësisë që s’mund t’i ikim në këtë vend! Ishte ëndrra jonë, ishte puna jonë – ndonjëherë dhe arsye jetese për shumicën nga ne ishte ajo e Fakultetit të Mjekësisë! Çdo ditë u zgjuam me një shpresë, duke kapur librin e duke imagjinuar se njëjtë do kapim ëndrrat një ditë, por çdo gjë ishte gënjeshtër. Drejtësia nuk triumfonte as aty ku besuam dhe thurrëm ëndrrat maksimum!

Po, në Fakultetin e Mjekësisë në Kosovë – i vetmi fakultet në këtë shtet i cili është i akredituar për mjekësi të përgjithshme (e vetmja rrugë për të arritur majat e ëndrrave tona) – aty ndodhin padrejtësitë, ku mua bashkë me shumë të tjerë që punuan fort, na u pre rruga. Kjo ishte akullnaja më e madhe që përjetova në këtë jetë, por çka ishte më e vështirë se kjo rrugë ndalese, ishin emrat të cilët arritën atë që unë çdo ditë ëndërrova. Po ata emra, që shumicën i njoha, shumicën se besova se janë aty, duke ditur shumë mirë suksesin e tyre në shkollën e mesme dhe lidhjet e tyre të padrejta e të pafundme!

“Testi i ra i njëjti” – ishin po këto fjalët e një nëne ditën e provimit, kur kuptoi se testi që kishte marrë vajza e saj para se të hynte në provim, ishte po i njëjti. Këto fjalë dëshmuan shpërndarjen e testit. Jo vetëm këto, por suksesi, puna dhe dituria e shumicës në atë listë – sikur pak t’i hulumtonim – do kuptonim se sa e meritojnë!

Më vjen keq jo vetëm për veten e për miqtë e mi, më vjen keq për këtë fakultet e për këtë shtet që, në krah të padrejtësisë, po humb njerëzit më të mençur, më të përkushtuar e më ambicioz në këtë popull!

Andaj, vetëm një dëshirë kam – të fundit për këtë shtet: ajo është të verifikohen çdo padrejtësi, çdo pyetje e gabuar dhe çdo intrigë që është bërë, para se të mbyllin dritat dhe dyert e çdo studenti të ri!

(Autorja ka qen nxënëse e Gjimnazit ‘Xhevdet Doda’ – Prishtinë – Konkurrente për Fakultetin e Mjekësisë)