Sunny Hill Festival

Në Infektive po trajtohen 11 pacientë me koronavirus

Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinikë Universitare të Kosovës, po vazhdojnë të qëndrojnë edhe 11 pacientë të infektuar me COVID-19, ndërsa edhe dy pacientë që janë shëruar tashmë nga kjo sëmundje po vazhdojnë trajtimin në këtë klinikë për shkak të sëmundjeve tjera shoqëruese.

Drejtoresha e kësaj klinike, Lindita Berisha ka dhënë detaje për Telegrafin, ku tha se gjendja e njërit prej pacientëve i cili është shëruar nga COVID-19 është e rëndë.

“Në Klinikën infektive janë 11 raste që janë pozitiv me COVID-19. Prej këtyre 11 rasteve, 5 janë me oksigjeno-terapi. 3 raste të tjera janë në pritje të rezultateve. Dy raste të cilat janë negativ, po e vazhdojnë mjekimin. Në mjekimin intensive, janë dy raste, njëra është pozitiv me COVID-19 dhe po trajtohet me oksigjeno-terapi, ndërsa është edhe një rast i cili është shëruar nga COVID-19, por po vazhdon të trajtohet pasi është në gjendje të rëndë për shkak të sëmundjeve tjera”, tha Berisha.

Ndryshe, rastet e para me COVID-19 në Kosovë, u shënuan më 13 mars. Nga ajo datë deri më 4 qershor janë evidentuar 1.147 raste me këtë virus me gjithsejtë 30 viktima. Ndërsa 874 pacientë janë shëruar.

Në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.