Sunny Hill Festival

Në mungesë kuorumi dështon mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, e thirrur për të hënën nga kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, nuk u mbajt, për shkak të mungesës së kuorumit.

Të pranishëm, përveç Bashës, ishin dy nënkryetare: Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Emilja Rexhepi nga partitë joserbe, por munguan ata të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Me rregulloren e Punës së Kuvendit, mbledhja zhvillohet kur janë të pranishëm shumica e anëtarëve të Kryesisë.

Nënkryetari i pestë nga komuniteti serb nuk është zgjedhur.

Mbledhja u thirr të shtunën nga Basha, i cili e shpalli të përfunduar seancën konstituive, megjithëse nuk ishte zgjedhur nënkryetari nga radhët e komunitetit serb.

Në tri vazhdime të seancës, kandidatët e këtij komuniteti nuk arritën të siguronin 61 votat e nevojshme.

Sipas rregullores së punës së Kuvendit, seanca konstituive përfundon vetëm me zgjedhjen e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve.

Në nenin 67 të Kushtetutës thuhet se Kuvendi duhet të ketë kryetarin dhe pesë nënkryetarë.

Katër nënkryetarë – tre nga komuniteti shqiptar dhe një nga pakicat joserbe – u zgjodhën më 26 gusht, së bashku me kryetarin.

Ndërkohë, të nëntë kandidatët e Listës Serbe dhe kandidati i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë dështuan të marrin votat e mjaftueshme.

Basha deklaroi se të gjitha mundësitë për zgjedhjen e nënkryetarit serb janë shteruar, ndaj seanca konstituive konsiderohet e mbyllur.

Qëndrimin e tij e mbështetën edhe bashkëpartiakët në Lëvizjen Vetëvendosje, të cilët kërkuan që vendi të kalojë tani në fazën e formimit të Qeverisë së re.

Megjithatë, partitë ish-opozitare e kundërshtuan këtë vendim, duke argumentuar se Kuvendi nuk është ende i konstituuar, pasi Kryesia nuk është zgjedhur në përbërjen e saj të plotë kushtetuese.

Disa ekspertë ligjorë paralajmëruan se situata mund ta çojë vendin drejt një krize të re kushtetuese.

Që nga 15 prilli janë bërë dhjetëra përpjekje për konstituimin e Kuvendit, por pa sukses, për shkak të mosmarrëveshjeve politike.

Çështja ka përfunduar edhe në Gjykatën Kushtetuese, e cila ka nxjerrë dy aktgjykime me afate dhe udhëzime për mënyrën e zhvillimit të procesit.

Afati i parë nuk u respektua, ndërsa i dyti përfundon më 18 shtator. /Rel/