Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), ka njoftuar se operimi i njësive prodhuese vazhdon normalisht, duke siguruar se “nuk ka asnjë kolaps prodhimi”. Megjithatë, në njoftim thuhet se funksionale është vetëm njësia A3.
KEK-u ka sqaruar si po funksionojnë aktualisht njësitë në termocentrale. Në njoftimin e saj thuhet se, njësitë e Termocentralit “Kosova A” dhe “Kosova B” janë të stërvjetruara dhe përballen me defekte teknike të paplanifikuara dhe të vështira për t’u parashikuar me saktësi.
Njësia A3, thuhet tutje në njoftim, është rikthyer në operim dhe po funksionon normalisht.
Për njësinë B1, KEK-u ka njoftuar se parashihet të rikthehet brenda 48 orëve, ndërkohë që ka shtuar se po punohet maksimalisht për rikthimin në operim edhe të njësive të tjera të Termocentralit “Kosova A” në ditët në vijim.
“Edhe pse dje nuk është bërë nominimi për furnizim me energji, kjo është pasojë e pasigurisë së lartë teknike dhe kushteve që e bënin rikthimin e njësisë A3 pothuajse të pamundur. Falë ndërhyrjes së menjëhershme dhe të pandërprerë të stafit teknik, kjo njësia është rikthyer sot në operim dhe është në prodhim të rregullt”, thuhet në njoftim.
KEK ka njoftuar tutje se po angazhohet me të gjitha kapacitetet për sanimin e situatës dhe rikthimin e njësisë B1 në operim brenda 48 orësh, varësisht nga shkalla e dëmtimeve të gypave që duhet të zëvendësohen në kaldajë.
“Njësia B1 nuk është nominuar për shkak të vështirësive teknike që lidhen me rritjen e humbjeve të ujit në kaldajë, rrjedhjet e avullit në sistemin e gypave dhe sinjalizimin e një defekti në filtrin elektrik. Pavarësisht përpjekjeve maksimale për ta mbajtur në operim, ndalja e saj është planifikuar të ndodhë në orët e para të mëngjesit të 21.06.2025, me qëllim të evitimit të ndonjë avarie më të madhe apo të paparashikueshme që mund të cenonte sigurinë teknike të njësisë dhe sistemit në tërësi”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.