Një i vdekur dhe 44 raste të reja me koronavrus në Shqipëri

Një persona ka humbur jetën dhe 44 persona janë infektuar me koronavirus në Shqipëri.

“Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë në spitalin infektiv një pacient 59 vjeçar nga Lushnja, i shtruar prej 6 ditësh në terapi intensive, i konfirmuar me Covid19. 59-vjeçari vuante nga Kardiomiopati e dilatuar, sëmundje renale kronike, diabet mellitus, anemi. Pas asistencës së madhe të stafit mjekësor në terapi intensive, 59 vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë”, ka treguar Mirela Cami Drejtore e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor.

Sipas saj, në 24 orët e fundit janë kryer 291 testime nga të cilat janë konfirmuar 44 raste pozitive. “22 raste në Tiranë, 6 në Krujë, nga 4 raste në Durrës, Kamëz, Shkodër, 2 raste në Lushnje dhe nga 1 rast në Vlorë, Elbasan. Rastet e konfirmuara janë kontakte të rasteve pozitive por edhe shume raste të reja që janë në hetim në Shkodër, Elbasan, Vlorë”, tha Cami.

Ajo ka treguar se janë testuar edhe 40 persona, personel shëndetësor, prej tyre 9 pozitiv.