Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit të dyshuarit për spiunazh Bojan Jevtiq, i cili ishte zyrtar i Policisë së Kosovës.
Ai po ashtu dyshohet edhe për armëmbajtje pa leje.
“Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës të Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit B.J., ashtu që të njëjtit i caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”, tha gjykata.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjykata vlerësoi se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate sepse nëse i pandehuri lihet në liri, “ekziston rreziku i ikjes, mund t’i shmanget procedurës penale dhe se i njëjti do të jetë i pakapshëm për organet e drejtësisë, duke qenë se i njëjti dyshohet për vepër penale të një rrezikshmërie shumë të lartë përkatësisht për vepër penal spiunazhi, si dhe duke marr për bazë faktin se i njëjti cenon sigurinë kombëtare, jetën e zyrtarëve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës”.
Gjykata po ashtu vlerësoi se nëse i pandehuri lihet në liri, i njëjti mund të ndikojë në prova dhe në dëshmitarë si dhe mund të përsërisë veprën e njëjtë penale ose mund të kryejë sërish vepra tjera penale në rrethana të njëjta ose më të rënda.
“Gjykata konsideron se pesha e veprës penale është e natyrës së rëndë, andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se cdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale, pengimin e rrjedhës normale të kësaj procedure penale si dhe pengimin e përsëritjes së veprave penale”.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.