Nuk digjet, nuk dëmtohet dhe peshon pak, shpiket druri më i fortë se çeliku

Një kompani amerikane ka prodhuar një lloj të ri druri që është 10 herë më i fortë se çeliku dhe 6 herë më i lehtë.

“Superwood” sapo është prezantuar si produkt për shitje. Ai është prodhuar nga InventWood, një kompani e bashkëthemeluar nga shkencëtari Liangbing Hu.

Rreth një dekadë më parë, Hu ndërmori një mision për të shpikur edhe njëherë një nga materialet më të vjetra të ndërtimit. Ai gjeti mënyra inovative për ta përdorur, madje e bëri edhe transparent duke i hequr linjinën që i jep ngjyrë dhe forcë.

Në 2017, përmes një procesi kimik Hu ia doli që të përforconte celulozën e drurit duke e kthyer në material më të mirë ndërtimi.

Druri zihej me ujë dhe kimikate, pastaj presohej me nxehtësi që të shpërbëhej deri në nivel qelizor duke u bërë më i dendur. Në fund, arrinte një raport forcë-peshë më të lartë sesa pjesa më e madhe e metaleve dhe aliazheve.

Pas viteve në përsosje të procesit dhe paraqitjes së më shumë se 140 patentave, Superëood është hedhur në treg. Kompania synon të fokusohet fillimisht në aplikimin e jashtëm para se të kalojë në veshjen e mureve, dyshemeve dhe orendive.

Sipas InventWood, materiali është 20 herë më i fortë sesa druri i zakonshëm dhe 10 herë më rezistent ndaj dëmtimeve. Ai është i padepërtueshëm nga kërpudhat dhe insektet si dhe ka arritur vlerësimin më të lartë në testet e rezistencës ndaj zjarrit.

Superëood kushton më shumë sesa druri i zakonshëm, por sipas kompanisë, prodhimi i tij çliron 90% më pak karbon sesa ai i çelikut.