Kur dikush zgjohet i tronditur nga tingulli i alarmit, gjasat janë shumë të mëdha që ta shtypë opsionin “snooze” për edhe pesë minuta gjumë. Për shumë njerëz, kjo është bërë rutinë e përditshme. Por sa dëm shkakton ky zakon?
Disa shkencëtarë që merren me studime të gjumit po paralajmërojnë se ky zakon i shtypjes së “snoozeit” mund t’u kushtojë njerëzve më shumë seç mendojmë, ka shkruar CNN.
“Alarmi i parë mund të ndërpresë fazat më të rëndësishme të gjumit. Çdo gjumë që mund të bëni pas shtypjes së butonit ‘snooze’ ka shumë gjasa të jetë me cilësi të ulët dhe i fragmentuar”, ka thënë doktoresha Rebecca Robbins, shkencëtare në “Divizionin e Gjumit dhe Çrregullimeve të ritmit cirkadian” në spitalin “Brigham and Women’s Hospital” në SHBA.
Sipas një studimi të fundit që bëri Robbins, përdoruesit e aplikacionit të monitorimit të gjumit “SleepCycle” që shtypin butonin “snooze” bëjnë mesatarisht edhe 11 minuta të tjera gjumë pas alarmit të parë, që përkthehet në afërsisht një natë gjumi çdo muaj.
Gjatë natës, truri kalon nëpër disa faza të aktivitetit neurologjik, dhe gjysma e dytë e natës dominohet nga faza REM (Rapid Eye Movement), ku ndodhin shumica e ëndrrave. Kjo është fazë jetike për kujtesën dhe funksionet njohëse.
“Kur shtypni butonin ‘snooze’, veçanërisht për disa minuta, nuk ka gjasa të riktheheni në fazën REM”, ka shpjeguar Robbins, që është gjithashtu profesoreshë e asociuar në mjekësi.
Por jo të gjithë ekspertët e gjumit janë të të njëjtit mendim.
Doktori Justin Fiala, mjek në “Northwestern Medicine Canning Thoracic Institute”, mendon se efekti i “snoozeit” nuk është gjithmonë negativ.
“Nuk ka konsensus të qartë nëse ky gjumë i lehtë gjatë minutave shtesë pas alarmit është gjithmonë i dëmshëm. Nëse ndiheni më të lodhur pas përdorimit të ‘snoozeit”, atëherë më mirë të zgjoheni direkt pa të”, ka sugjeruar Fiala.
Ai ka shtuar se ndonjëherë, tiparet natyrore të trupit mund të ndikojnë në mënyrën se si njerëzit e përjetojnë këtë zakon. Nëse dikush është tip që rri zgjuar natën (njerëz që ndihen më energjikë gjatë natës), por puna i detyron të zgjohen në 5 të mëngjesit, kjo krijon konflikt mes trupit dhe orarit.
“Për këta persona, periudha e shkurtër e gjumit të lehtë që vjen pas alarmit mund t’iu ndihmojë të kalojnë më butë nga fazat e thella të gjumit në zgjim”, ka shpjeguar Fiala.
Edhe pse nevojiten më shumë studime për këtë temë, një studim i vitit 2023 sugjeron se personat me këtë lloj stili të gjumit kanë më shumë gjasa të mbështeten te butoni “snooze”.
Konsistenca është çelësi
Shumica e ekspertëve të gjumit bien dakord që të rriturit kanë nevojë për 7 deri në 9 orë gjumë çdo natë. Por sipas Kimberly Honn, profesoreshë në “Washington State University Spokane”, edhe orari i qëndrueshëm i gjumit është po aq i rëndësishëm sa vetë kohëzgjatja. Gjatë fazave të thella të gjumit, truri funksionon me ritëm të veçantë, ndryshe nga ritmet që kanë njerëzit kur janë zgjuar. Nëse zgjoheni gjatë këtyre fazave, proceset thelbësore të “riparimit” të trurit ndërpriten dhe ndiheni të mjegullt për disa minuta apo edhe orë, një fenomen që njihet si “inerci e gjumit”.
“Kur trupi mësohet me orar të rregullt të gjumit, zvogëlohet kjo ndjesi mjegulle kur zgjoheni”, ka thënë Honn.
Por Robbins ka shtuar se “në një botë ideale, nuk do të na duhej fare ora e zgjimit por do të zgjoheshim natyrshëm dhe me energji”.
Fiala rekomandon që ora e gjumit të ndryshohet jo më shumë se 30 minuta çdo natë, edhe në fundjavë. Nëse duhet ta ndryshoni rutinën, bëjeni ngadalë dhe me hapa të vegjël.
Si të përmirësohet mëngjesi
Sipas Robbins, disa njerëz shtypin më pak butonin “snooze” sepse nuk kanë luksin të zgjohen më vonë.
“Nëse e keni të pamundur të zgjoheni më vonë për shkak të punës apo fëmijëve, atëherë vendoseni alarmi sa më afër orës kur duhet të zgjoheni vërtet”, këshillon ajo.
Ajo shton se shtypja e “snoozeit” mund të dëmtojë edhe rutinën e mëngjesit. Në vend që të shpenzoni 20 deri në 30 minuta duke u përpëlitur në shtrat, mund ta shfrytëzoni këtë kohë për të bërë diçka që ju zgjon, si të bëni disa ushtrime, të shkruani në një ditar, apo të përgatisni mëngjes të shëndetshëm.
“Ashtu siç flasim për ritualet e natës, duhet të flasim edhe për ritualet e mëngjesit, diçka që ju gëzon e ju motivon të zgjoheni. Qoftë një filxhan kafeje apo një takim i rëndësishëm, gjejeni një arsye që ju bën të ngriheni nga krevati”, ka thënë Robbins.
Honn ka sugjeruar që të lejoni dritën natyrale të hyjë në dhomë në mëngjes, sepse ajo ndihmon trupin të kuptojë që është koha për t’u zgjuar.