Osmani dhe Kurti koordinohen për sigurimin sa më të shpejtë të vaksinave

Presidentja Vjosa Osmani, priti sot në takimin e parë koordinues ndërinstitucional Kryeministrin Albin Kurti, si dhe Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, Ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, dhe Ministrin e Shëndetësisë,  Arben Vitia.

Osmani diskutoi me Kurtin nevojën e krijimit të mekanizmave të përbashkët koordinues në fushën e politikës së jashtme, mbrojtjes si dhe çështjes prioritare të sigurimit sa më të shpejtë të vaksinave kundër COVID-19.

“Duke pasur parasysh rëndësinë e këtyre çështjeve, Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti u dakorduan se përpjekjet e përbashkëta, si dhe adresimi i koordinuar i këtyre temave, do të sjellë rezultate më konkrete.Osmani dhe Kurti u pajtuan për bashkërendim të rregullt institucional mes institucioneve kyçe të Kosovës në realizimin e synimeve të përbashkëta që lidhen me forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe sigurinë kombëtare”, thuhet në njoftim.

Ata po ashtu shprehën gatishmërinë për të vazhduar përpjekjet për adresimin e nevojave të menjëhershme të qytetarëve që lidhen me pasojat shëndetësore dhe ekonomike nga pandemia COVID-19.