Pacolli: Nuk kam kërkuar të ketë dallim në rastin tim

Kreu i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka arritur të enjten në Prishtinë. Nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, Pacolli ka thënë se asnjëherë nuk ka kërkuar që për të të mos merren masat sikurse për qytetarët tjerë.

“Asnjë moment nuk jam shprehur e as s’ka qenë në kokën time që të veproj jashtë normave. S’kam kërkuar asnjëherë të bëhet dallim për mua. Derisa e dua vendin tim, i nënshtrohem edhe të gjitha masave të ndërmarra. Unë nuk rezistoj. Unë i respektoj normat që janë marrë për të gjithë, ashtu edhe për mua. S’do ta toleroja asnjëherë që ndaj meje të ketë përparësi apo mangësi. Nëse ka rregull që është aplikuar për të gjithë qytetarët, unë do ta zbatoja”, ka thënë ai me të arritur.

Ai është ankuar në deklaratat e ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

“Unë s’jam kriminel. E dua këtë vend. Gjithë punën e bëj me vullnet”, ka thënë ai.