Carlo Ancelotti do të emërohet selektor i ri i Brazilit në fund të këtij muaji duke i dhënë kështu fund periudhës së lavdishme tek Real Madridi, me të cilin fitoi gjithçka që është e mundshme.
E tash, mediat e huaja kanë nisur t’i zbulojnë benefitet që do t’i gëzojë trajneri italian tek Kombëtarja e Brazilit, e cila pritet ta zyrtarizojë atë më 26 maj, një ditë pasi të përfundojë sezoni në La Liga dhe kur ai të jetë i lirë nga angazhimet që i ka me “Los Blancos”.
Ish-trajneri i Juventusit, Milanit, Chelseat, Paris Saint-Germainit, Bayern Munichut, Napolit dhe Evertonit do të paguhet 770 mijë euro në muaj nga Konfederata Braziliane e Futbollit, që i bie afro 9 milionë euro në vit, me ç’rast do të bëhet trajneri më i paguar ndonjëherë në Brazil, raporton gjiganti mediatik “ESPN” në versionin e tij brazilian, përcjell “Gazeta Express”.
Kjo njëherësh është edhe paga më e lartë e ndonjë selektori në Kombëtaret më të forta të botës.
Derisa do ta marrë dyfishin e paraardhësve të tij, Tite e Dorival Junior, 66 vjeçari do t’i marrë edhe 5 milionë euro bonus në rast se e fiton Kupën e Botës 2026 me Brazilin.
Ndër benefitet tjera, “Don Carlo” do ta ketë në dispozicion edhe një aeroplan privat, i cili do t’ia mundësojë atij të fluturojë për në Evropë ose në Kanada, ku jeton aktualisht gruaja e tij, kurdo që të dojë ai.