Pas 86 vitesh falet namazi i parë i Bajramit në Xhaminë Aja Sofia në Stamboll

Në Xhaminë Aja Sofia është falur namazi i Bajramit të parë pas 86 vitesh me pjesëmarrjen e mijëra qytetarëve që mbushën xhaminë brenda dhe zonën përreth, raporton Anadolu Agency.

Sipas këtij mediumi, mijëra qytetarë përjetuan emocionin e namazit të parë të Bajramit në këtë xhami, e cila deri në çlirimin e Stambollit u përdor si kishë për 916 vite dhe më pas si xhami nga viti 1453 deri në 1934.

Pas kësaj, me një vendim të marrë ajo ofroi shërbim si muze dhe javën e kaluar u rihap sërish për adhurim me faljen e namazit të xhumasë.

Qytetarë nga Stambolli dhe të ardhur nga qytete dhe shtete të tjera mbushën xhaminë dhe sheshin me dëshirën për të falur namazin e Kurban Bajramit.

Ndërkohë është vërejtur intensitet në pikat e sigurisë që u formuan në zona të ndryshme për vajtjen në drejtim të xhamisë.

Vendet e përcaktuara për namazin u mbushën që para namazit të Bajramit.

Ekipet e bashkisë Fatih shpërndanë falas para namazit për qytetarët sexhade njëpërdorimshe, dezinfektues, maska dhe ujë. Po ashtu me ekrane të mëdha mbi automjete të lëvizshme u sigurua që personat në radhët e fundit të shikonin sheshin.

Qytetarët falën namazin e bajramit me sexhadet e sjellura me vete mbi hasrat e shtruara në sheshin e Aja Sofia në vendet e përcaktuara nga bashkia me qëllim respektimin e rregullit të distancimit dhe kryerjen e adhurimit në një mjedis komod.