Sunny Hill Festival

Pas pesë orë intervistimi, ministri Faton Peci lirohet në procedurë të rregullt

Ministri në detyrë i Bujqësisë dhe deputet i Kuvendit të Kosovës, Faton Peci, është liruar në procedurë të rregullt pas një intervistimi pesë orësh nga Njësia e Veçantë e Hetimeve në Policinë e Kosovës.

Zëdhënësja e Prokurorisë, Arbnora Luta, ka konfirmuar se ministri Peci u intervistua për disa orë në cilësinë e të dyshuarit për këtë rast.

“Pas intervistimit nga Njësia e Veçantë Hetimore, ai u lirua në procedurë të rregullt”, ka thënë Luta.

Intervistimi është zhvilluar në kuadër të hetimeve për një kontratë të dyshuar prej 60 milionë eurosh, që ka të bëjë me menaxhimin e mbetjeve nga nënproduktet shtazore.

Peci është intervistuar në cilësinë e të pandehurit, sipas konfirmimit të prokurorit të rastit, Admir Shala, për portalin Telegrafi.

Hetimet janë pjesë e një aksioni më të gjerë që përfshiu bastisje në katër lokacione të ndryshme, të cilat janë kryer me urdhër të Prokurorisë.

Përveç ministrit Peci, është marrë në pyetje edhe drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Bekim Hoxha. Ai është intervistuar në lidhje me të njëjtin rast që lidhet me dyshimet për keqpërdorime në procesin e tenderimit për funksionalizimin e objekteve për përpunimin e nënprodukteve shtazore.

Bastisjet e ditës përfshinë edhe Ministrinë e Bujqësisë, selinë e AUV-it, Agjencinë për Zhvillim Bujqësor si dhe lokacionin e kompanisë që ka përfituar kontratën shumëmilionëshe.

Hetimet vazhdojnë, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje për rezultatet e bastisjeve apo për hapat e mëtejmë ndaj zyrtarëve të përfshirë. /Telegrafi/