Tani që vera po i afrohet fundit, shumë njerëz fillojnë të ëndërrojnë për gatimet e tyre të preferuara si supat, gjellët apo tavat që ngrohin shpirtin gjatë ditëve të ftohta të dimrit. Shumë prej këtyre recetave të dashura kanë si përbërës kryesor patatet, por ruajtja e tyre pa i lënë të mbijnë para kohe mund të jetë një sfidë nëse nuk i dini metodat e duhura.
Karen Lamar, eksperte e ruajtjes së ushqimeve nga Organic Cottonmart, tregon se një nga gabimet më të mëdha që bëjmë është vendosja e patateve në banak, pranë disa perimeve të tjera.
Ajo shpjegon:
“Kur flasim për ruajtje afatgjatë, si patatet ashtu edhe qepët zgjasin më shumë se shumica e perimeve. Kështu që mund të mendohet: ‘Pse të mos i ruajmë bashkë në të njëjtin vend?’ Por kjo nuk është aspak ide e mirë, sepse qepët lëshojnë gaz etilen, i cili i bën patatet të mbijnë më shpejt”.
Si të mbani patatet të freskëta për më gjatë
Shmangni vendosjen pranë qepëve, hudhrave dhe domateve, pasi këto perime lëshojnë sasi të mëdha të etilenit, një hormon natyral që ndihmon pjekjen e frutave dhe perimeve. Për pasojë, patatet fillojnë të mbijnë shumë më shpejt.
Këto perime gjithashtu përmbajnë shumë ujë, që do të thotë se çlirojnë lagështi – dhe kjo mund të çojë në prishjen ose mykjen e patateve.
Vendi më i mirë për ruajtjen e patateve:
Karen këshillon që patatet të mbahen sa më larg dritës së diellit. Sipas saj drita e bën pataten të ‘mendojë’ se ka ardhur koha të mbijë, duke e shtyrë të prodhojë klorofil, i cili i jep ngjyrën jeshile dhe e bën të hidhur në shije.
“Po ashtu, lagështia e lartë është armik i madh i ruajtjes afatgjate. Prandaj, zgjidhja më e mirë është një vend i thatë dhe i errët, si për shembull bodrumi, depo ushqimore, apo ndonjë cep të fshehtë të kuzhinës”.