Që nga prilli e deri në mesin e majit, deputetët e betuar të Kuvendit, kanë mbajtur plot 18 tentativa me seanca veç disaminutëshe për konstituim, por pa asnjë rezultat konkret.
Pavarësisht kësaj situate të pazakontë dhe mungesës së funksionalitetit parlamentar, deputetët vazhdojnë të marrin pagën e plotë mujore.
”Sipas Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, paga bruto mujore e një deputeti është afërsisht 1,859 euro, deri më 30 qershor 2025. Pas kësaj date paga bëhet 1,914 euro”, deklaroi Ehat Miftaraj nga Instituti Demokratik i Kosovës për Klan Kosovën.
Ai thotë se parlamentarët madje kanë të përfshirë meditjet në pagën e tyre fikse mujore.
”Mëditja është integruar në pagën e tyre fikse mujore, ku legjislatura e 8-të e ka bërë këtë ndryshim”.
”Deputetët nuk përfitojnë më kompensime/mëditje shtesë për pjesëmarrje në seanca plenare, përfshirë edhe ato për tentimet për konstituim të Kuvendit”, shton ndër tjera Miftaraj.
Kjo do të thotë se edhe në rastet kur seancat po thirren çdo 48 orë, nuk ka pagesë shtesë për pjesëmarrje.
Megjithatë, deputetët vazhdojnë të marrin pagën e tyre afro 1,859 euro pavarësisht seancave 48 orëshe, vetëm disa minutëshe.
Seanca e radhës mbahet të mërkurën, në orën 11:00, në tentativën e 19-të për konstituim.