Kuvendi i Kosovës edhe sot do të vazhdojë seancën konstituive, duke nisur nga ora 10:30. Kjo shënon përpjekjen e 24-të të konstituimit të legjislaturës së nëntë të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Edhe seancën e kaluar, të enjten, deputetët refuzuan për të pesëmbëdhjetën herë rresht ta formonin një komision për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kryeparlamentar.
Këtë formë të votimit e propozoi kryesuesi i seancës, Avni Dehari, më 1 maj pasi e propozuara e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, dështoi radhazi të merrte votat e nevojshme për t’u bërë kryeparlamentare.