Përçarjet në koalicion vlerësohet se mund të reflektojnë negativisht në dialog

Ndonëse udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë ishte paraparë që të takohen më 2 shtator në Shtëpinë e Bardhë në Washington, takimi është shtyrë për dy ditë. Këtë e kanë konfirmuar burime të Zërit të Amerikës, teksa ende nuk janë dhënë hollësi për arsyet e shtyrjes së takimit, nikoqirë të të cilit do të jenë Këshilltari për Siguri Kombëtare amerikane, Robert O’Brien dhe ambasadori, Richard Grenell.

Por kjo është përmendur edhe nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, i cili i konfirmoi se ekziston kërkesa që të shtyhet ky takim. Vuçiqi për mediat serbe tha se nuk pret që takimi me përfaqësuesit e Kosovës të jetë i lehtë, por që ai do të luftojë për interesat e shtetit serb. Të pyetur mbi mundësinë e shtyrjes së këtij takimi nga zyra e kryeministrit, Avdullah Hoti për KTV-në kanë thënë se nuk janë në dijeni për këtë gjë.

E teksa shefi i ekzekutivit kosovar po përgatitet për këtë takim, përplasjet midis koalicionit qeverisës mbi formatin e dialogut po vazhdojnë. Është AAK-ja ajo e cila nuk është e kënaqur me përfshirjen që ka në këtë proces, raporton KOHA.

Pal Lekaj nga kjo parti thotë se qëndrimet e partive duhet të jenë të unifikuara, me qëllim që takimi i paraparë në Washington të prodhojë rezultate konkrete që çojnë kah marrëveshja finale me shtetin serb.

“Rikthimi në Shtëpinë e Bardhë për pjesën e mbetur të dialogut, faza përfundimtare për marrëveshjen finale me njohje reciproke, Kosova e 17 shkurtit, do të duhej të shihej si lajm i mirë dhe shpresëdhënës për Kosovën. Që të mos ketë ekzagjerim të mëtutjeshëm të kësaj çështjeje, do të ishte lajm i mirë po ashtu që më 2 shtator të kemi diçka më konkrete, ndoshta përafrim të marrëveshjes finale. Pritjet duhet të jenë të maturuara dhe duhet të mos jemi diverzivë e me divergjenca në këtë aspekt si Kosovë, por të kemi qëndrime të unifikuara, karshi përmbylljes së dialogut me Serbinë”, ka thënë Lekaj.

Qasjen e ekzekutivit aktual karshi dialogut po e kritikon edhe partia opozitare, Vetëvendosje. Hajrullah Çeku vlerëson se mungesa e një platforme, mosunifikimi politik si dhe gatishmëria e qeverisë aktuale për t’iu përgjigjur kërkesave të Serbisë janë faktor kyçë që mund të çojnë në dështimin e dialogut.

“Janë të paktën 4 probleme madhore që e kanë përcjellë dialogun. Kjo qeveri është jolegjitime dhe është e paaftë të qeverisë e sidomos të negociojë me të tjerët në emër të Kosovës. Po ashtu, këta nuk e dinë as për çfarë bëhet fjalë në këto negociata, shpesh para këtyre takimeve disa flasin për marrëveshje ekonomike, disa për marrëveshje reciproke. Problemi i tretë është mungesa e një platforme për dialogu dhe mungesa e një konsensusi të brendshëm politik në Kosovë. Po ashtu, është një gatishmëri e frikshme e kësaj qeverie për t’iu përgjigjur kërkesave të Serbisë”, ka thënë Çeku.

Kurse sa u përket përplasjeve midis koalicionit qeverisës, Çeku thotë se ato janë dëshmi se ekzekutivi aktual është i paqëndrueshëm dhe se duhet të largohet sa më parë nga pushteti.

Ndërsa Eugen Cakolli nga KDI-ja, thotë se pikërisht mbarëvajtja e dialogut me Serbinë mund të bëhet “mollë sherri” midis koalicionit qeverisës. Sipas tij, mosuniteti i krerëve politikë për dialogun me Serbinë reflekton në mbarëvajtjen e këtij procesi.

“Procesi i dialogut ka qenë proces i ndjeshëm politik, saqë ka bërë që në mënyrë direkte apo indirekte të ketë rënie të qeverie, mbase 3 apo 4 të fundit në Kosovë. Andaj, padyshim që sërish ekziston rreziku që dialogu të jetë pika e nxehtë e përplasjeve të partive politike sidomos atyre të koalicionit, të cilat në mungesë të një qëndrimi unik dhe një platforme të konsoliduar shtetërore, kanë dallime të ndryshme në qëllime sidomos sa i përket udhëheqjes së dialogut, mënyrës së organizimit dhe rezultatit final të dialogut”, është shprehur Cakolli.

Sipas Cakollit, takimi i shtatorit kurdo që mbahet, do të jetë pikënisje pozitive për Kosovën, që do të shërbente si mekanizëm lehtësues për diskutimin e mëtejmë të temave politike me Serbinë.

Një takim në Washington mes krerëve të Kosovës e Serbisë ishte paraparë për 27 qershor, por ishte anuluar pas ngritjes së aktakuzës ndaj presidentit Hashim Thaçi nga Gjykata Speciale.