Sunny Hill Festival

Përfitimet shëndetësore nga dielli

Për vite me radhë, shumë mjekë kanë këshilluar që ekspozimi në diell të kufizohet sa më shumë, për shkak të rrezatimit nga rrezet ultravjollcë (UV) që dëmton lëkurën, shkakton plakje të parakohshme dhe rrit rrezikun për kancer të lëkurës. Ndërkohë, vitamina D mund të merret nga ushqimet ose suplementet.

The New York Times ka shkruar se së fundmi, disa shkencëtarë po rivlerësojnë këtë qëndrim, pasi studimet tregojnë se ekspozimi mesatar në diell mund të ketë përfitime për shëndetin dhe se suplementet e vitaminës D nuk e zëvendësojnë domosdoshmërish efektin e diellit.

“Qasja ‘mos dil kurrë pa SPF 50’ e ka trajtuar diellin sikur është gjithmonë i rrezikshëm. Por ekspozimi mesatar dhe i menduar në mënyrë të kujdesshme, në përputhje me rreziqet individuale, mund të sjellë përfitime që ende po i zbulojmë”, ka thënë doktoresha Lucy McBride, nga Washingtoni.

Pse dielli mund të jetë i mirë për shëndetin?

Elizabeth Ko, mjeke në UCLA Health, pranon se është e vërtetë që rrezet e diellit mund të dëmtojnë lëkurën dhe të rrisin rrezikun për kancer. Por ajo ka shtuar se studime të reja tregojnë disa lidhje mes ekspozimit në diell dhe përfitimeve për shëndetin.

Ulje e tensionit të gjakut

Studimet kanë treguar se njerëzit që kalojnë më shumë kohë në diell kanë tension më të ulët.

“Dielli bën që lëkura të lëshojë një gaz të quajtur oksid nitrik, i cili relakson enët e gjakut dhe ul tensionin”, ka shpjeguar doktori Richard Weller, dermatolog dhe studiues nga Universiteti i Edinburgut.

Tensioni i lartë është më i zakonshëm në dimër, kur ekspozimi në diell është më i pakët. Një studim madje ka treguar se njerëzit që ekspozoheshin më shumë në diell kishin më pak rrezik nga sëmundjet e zemrës.

Forcim i sistemit imunitar

Rrezet ultravjollcë (UV) mund të ndikojnë pozitivisht në sistemin imunitar. Një studim jo i madh me pacientë me sklerozë të shumëfishtë (MS) tregoi se ekspozimi në UV aktivizonte qeliza imune që zbutnin inflamacionin dhe përmirësonin simptomat.

“Ekspozimi në dritë UV ka treguar se ndihmon edhe në sëmundje si ekzemat, psoriaza dhe gjendje të tjera autoimune”, ka shtuar McBride.

Përmirësim i humorit

Doktoresha Ko ka thënë se dielli mund të ndikojë edhe në gjendjen shpirtërore. Disa studime tregojnë se ekspozimi në UV rrit nivelin e serotoninës, një kimikat që ndihmon në rregullimin e humorit.

Por, McBride ka theksuar se nuk është gjithmonë e lehtë të dihet nëse dielli është arsyeja e vetme për këto përfitime. Njerëzit që kalojnë më shumë kohë jashtë shpesh janë më aktivë fizikisht dhe kalojnë më shumë kohë në natyrë, faktorë që gjithashtu përmirësojnë shëndetin dhe humorin.

A është e mjaftueshme vitamina D si suplement?

Një nga arsyet më të njohura për t’u ekspozuar në diell është se stimulohet prodhimi i vitaminës D, e cila është thelbësore për shëndetin e eshtrave. Studimet më të vjetra sugjeronin se nivelet e ulëta të kësaj vitamine lidhen me rrezik më të lartë për sëmundje të zemrës, diabet të tipit 2 dhe kancer të zorrës së trashë.

Por studimet e mëdha nuk e konfirmojnë se suplementet e zëvendësojnë efektin e diellit.

Një studim i vitit 2019 me 2,400 të rritur me faktorë rreziku për diabetin e tipit 2, ka treguar se suplementet me vitaminë D nuk ulën rrezikun për të zhvilluar diabet.

Një studim i vitit 2020 me 26,000 pjesëmarrës në SHBA, ka treguar se vitamina D nuk ulte rrezikun për sëmundje të zemrës, kancer ose vdekje, gjatë periudhës 5-vjeçare të ndjekjes.

“Këto studime sugjerojnë se dielli mund të na sjellë përfitime që shkojnë përtej prodhimit të vitaminës D”, ka theksuar McBride.

A duhet hequr dorë nga kremi i diellit?

Jo. Edhe pse dielli mund të sjellë disa përfitime, rreziku nga kanceri i lëkurës mbetet real dhe serioz. Prandaj, mjekët nuk rekomandojnë ekspozimin në diell pa mbrojtje.

“Mos dilni në diell ndërmjet orës 10:00 dhe 14:00 kur rrezet janë më të forta. Nëse nuk mund ta shmangni diellin, përdorni krem mbrojtës, kapele me strehë të gjerë dhe veshje mbrojtëse”, ka thënë Ko.

Sipas McBride kanceri i lëkurës është kërcënim serioz.

“Por është koha të largohemi nga mesazhet e frikshme dhe njëqind për qind të përgjithshme”, ka thënë ajo.