Në Prishtinë, të premten, është mbajtur një protestë kundër paralajmërimeve për shtrenjtimin e tarifave të energjisë elektrike, si reagim ndaj kërkesave të fundit për rritje të çmimit të rrymës.
Protesta u organizua nga aktivistët e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist, me pjesëmarrjen e qytetarëve të shumtë, të cilët fillimisht u mblodhën para ndërtesës së KEDS-it, duke shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj politikave aktuale të tarifimit të energjisë. Gjatë tubimit, sipas informacioneve nga vendi i ngjarjes, është arrestuar edhe një person i moshuar, pa u bërë të ditura ende detaje shtesë lidhur me arsyet e arrestimit.
Pas protestës para KEDS-it, marshimi ka vazhduar drejt ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, ku protestuesit kanë kërkuar përgjegjësi institucionale për shtrenjtimin e rrymës dhe ndikimin e tij në jetën e qytetarëve.
Gjatë ndalesës para Qeverisë, qytetarët kanë bërë thirrje të drejtpërdrejta ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të dalë dhe t’u përgjigjet kërkesave të tyre, duke brohoritur: “Hajde poshtë, dil para popullit”.