Pesë raste të reja në Vushtrri, Tahiri dyshon se ka ardhur vala e dytë e koronavirusit

Në Komunën e Vushtrrisë janë paraqitur pesë raste të reja me koronavirus, ka njoftuar IKSHPK-ja.

Kryetari i komunës Xhafer Tahiri tha për RTV Dukagjini se kjo mund të jetë ajo që është paralajmëruar si një valë e dytë e koronavirusit mund të ketë filluar në Kosovë.

“Ne më parë kishim mbyllur një cikël të infeksioneve. Me gjasë në Vushtrri ka filluar një cikël i dytë i infeksioneve. Pas rastit të parë sot kemi pasur dhjetë teste. Për fat të keq pesë prej tyre kanë rezultuar pozitiv me COVID-19”, tha ai.

Tahiri thotë se virusi është importuar nga Prishtina ku e prekura e ditës së djeshme ka punuar.

Kryetari i Vushtrrisë thekson se qytetarët duhet të kenë kujdes dhe të mos relaksohen shumë pasi rreziku nuk ka kaluar ende.

Ai thotë se do të testohen edhe disa të dyshuar nga personeli shëndetësorë pasi të njëjtit kanë pasur kontakt me personin që dje ka rezultuar pozitiv me COVID-19.

“Të njëjtit janë izoluar deri në daljen e testeve. Ata janë zëvendësuar me punëtorë tjerë shëndetësorë”, tha Xhafer Tahiri.