Sot në komunën e Leposaviqit është hapur pika e katërt e Postës së Kosovës në këtë komunë, në një objekt të rikthyer nën menaxhim të Postës.
Ky hap i rëndësishëm u bë me praninë e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ministres në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kryetarit të Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, Kryesuesit të Bordit të Postës së Kosovës, Gëzim Paci, dhe Kryeshefes së Postës së Kosovës, Nora Rraci.
Sipas njoftimit për media Kurti gjatë fjalës së tij e vlerësoi këtë hap si një pasqyrë të bashkëdyzimit të ligjshmërisë dhe cilësisë.
Ai theksoi se, me mbylljen e operatorëve të pa licencuar që kanë funksionuar më herët, tani Posta e Kosovës ofron shërbime moderne dhe të ligjshme për qytetarët e Leposaviqit.
“Hapja e kësaj zyre është një lajm i mirë jo vetëm për banorët e komunës, por edhe për shërbimin postar publik të Republikës së Kosovës,” u shpreh ai.

Ai shtoi se, falë menaxhimit të suksesshëm të Kryeshefes Nora Rraci, Posta e Kosovës tani operon me fitim dhe ka një shtrirje të gjerë në të gjithë territorin e Kosovës.
“Posta e Kosovës nuk e shikon se ku ka fitim që të ketë zyre, por ka ku qytetarët të kenë shërbim,” theksoi Kurti.
Kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, shprehu falënderimet për Qeverinë dhe Postën e Kosovës, duke e cilësuar hapjen e kësaj pike si një zhvillim të rëndësishëm për qytetarët. Ai kërkoi që ky proces të vazhdojë dhe të hapen edhe pika të tjera në komunën e tij.
Nga ana e saj, Kryeshefja e Postës së Kosovës, Nora Rraci, nënvizoi sukseset e arritura gjatë periudhës së fundit. Ajo theksoi se, krahasuar me vitin e kaluar, ka pasur një rritje prej 11% të numrit të zyrave postare në gjithë Kosovën.

“Në katër komunat veriore të Kosovës, para dy vjetëve kishim vetëm dy zyra, ndërsa tani po festojmë pikën e 13-të, një rezultat shumë i madh,” tha Rraci.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjithashtu shprehu kënaqësinë për hapjen e kësaj pike dhe siguroi se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të mbështesë Postën e Kosovës në zgjerimin e rrjetit të saj dhe në avancimin e shërbimeve.
Posta e Kosovës ka arritur të rrisë numrin e zyrave postare në të gjithë Kosovën, duke arritur një total prej 157 zyrash, një rritje prej 11%.
Përveç kësaj, është investuar në mjete të reja transporti, infrastrukturë IT dhe shërbime të reja postare dhe financiare, duke përfshirë transfere ndërkombëtare të parave dhe mbështetje për zhvillimin e e-commerce.