Më 27 korrik ka hyrë në fuqi vendimi i Gjykatës Kushtetuese që ndalon çfarëdo veprimi nga deputetët deri më 8 gusht.
Një ditë më herët, më 26 korrik në mbrëmje ka dështuar përpjekja e fundit për konstituimin e Kuvendit.
Ishin plot 54 tentime për ta bërë një gjë të tillë, por nuk u arrit ndonjë marrëveshje sa i përket votimit të kryetarit të Kuvendit.
Vendimi i Kushtetutës ndalon deputetët e zgjedhur të ndërmarrin çdo hap drejt formimit të legjislaturës së re deri më 8 gusht. Kjo masë erdhi si pasojë e skadimit të afatit 30-ditor që përfundoi më 26 korrik, brenda të cilit duhej të formohej Kuvendi i ri i Kosovës.
Deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Salih Zyba, ka folur lidhur me hyrjen në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Zyba deklaroi se zgjedhjet nuk përjashtohen si mundësi, por thotë se ato duhet të jenë hap i fundit, pas shterimit të të gjitha procedurave ligjore dhe kushtetuese.
“Duhet të shfrytëzohet çdo mundësi obligim ligjor e Kushtetues, jemi në fazën e komenteve dhe interpretimeve të ligjeve dhe Kushtetutës, pa u konsumuar këto, ne nuk i përjashtojmë zgjedhjet por pa u konsumuar këto edhe shkuarja në zgjedhje len brenga e shqetësim tek dikush”, u shpreh Zyba.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Fadil Demaku, ka deklaruar se PDK nuk do të nxjerrë qëndrime zyrtare lidhur me situatën politike derisa të shpallet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
“Deri të del vendimi i Gjykatës Kushtetuese, nuk e di çka mund të ndodh. Kur të del, mund të dalim me deklarata”, tha shkurt Demaku.
Alban Zogaj, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, është shprehur se partia e tij është në pritje të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me hapat e mëtejshëm politikë.
Zogaj thotë se pas 8 gushtit do të jetë rruga më e qartë.
“Po presim aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila do të sqarojë pyetjet që kemi shtruar ne si LDK. Besoj, pas datës 8 gusht do ta kemi më të qartë rrugën përpara”, u shpreh Zogaj.
Lahi Brahimaj, deputeti i AAK-së thotë për “Front Online” se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është kyç për të përcaktuar rrugën politike në Kosovë.
“Varet nga vendimi i Kushtetutës, do të respektohet në plotni vendimi nga AAK cilido që është ai”, u shpreh ai.
Brahimaj kritikon mungesën e angazhimit nga LVV në Kuvend dhe paralajmëron se nëse nuk arrihet kompromis, zgjedhjet janë zgjidhja më e mirë.
“LVV tentoi kinse po bënë diçka por në asnjë seancë nuk kanë qenë komplet deputetet e LVV kanë munguar që nuk kanë qenë të interesuar ta bëjnë Kuvendin. Nëse Kurti nuk është i gatshëm të bëjë ndonjë kompromis më mirë të shkojmë të zgjedhje se sa me e mbajt vendin peng”, tha Brahimaj.