Premtohet të mos lejojnë marrëveshje për çmimet e testeve për koronavirus

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, i shoqëruar nga kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, kanë mbajtur një konferencë për media sot, ku kanë deklaruar se institucionet private që janë të licencuara për testime për COVID-19 do të monitorohen dhe nuk do të lejohet ndonjë marrëveshje e çmimeve që do të dëmtojë qytetarët.

Zemaj ka thënë se ka rënë dakord që ky proces të zhvillohet duke respektuar politikat e konkurrencës, duke mos lejuar monopol dhe se ky proces do të monitorohet nga të gjitha institucionet. Ai madje ka thënë se nëse evidentohen shkelje, do të ketë sanskione ndaj laboratorëve apo edhe tërheqje të licencave.

“U dakorduam të koordinohemi ngushtë që procesi të zhvillohet duke respektuar politikat e konkurrencës e të mos lejohet monopol. Të gjitha institucionet e licencuara dhe atyre që do të licencohen, u bëhet me dije, që ky proces do të monitorohet nga gjitha autoritetet shtetërore vendimmarrëse. Ne e kemi dërguar kompetencën te institucionet e brendshme te inspektorati dhe IKSHP-ja. Si ministër i Shëndetësisë i kam kërkuar AKK-së që të monitorojë sjelljen lidhur me caktimin e çmimit të këtij shërbimi. Jemi në kohë pandemie, duhet të jemi përgjegjës para gjithë qytetarëve të Kosovës. Ne mbështetemi te AKK-ja dhe institucionet për t’u siguruar që të mos bëhen asnjë marrëveshje lidhur me çmimet që do të jenë në dëm qytetarëve. Të përfillen rregullat e të evidentohen sanksionet, pasi mund të marrim masa të dënimeve e të heqjes së licencimeve”, ka thënë Zemaj

Kryetari i AKK-së, Valon Prestreshi, ka garantuar se ky autoritet do ta mbështesë këtë proces dhe nuk do të lejojë asnjë marrëveshje rreth çmimit të shërbimit të testimit në mes të laboratorëve të licencuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Ai tha se që nga dita e parë kur u paraqitën rastet me koronavirus në Kosovë, është hasur në dyshime rreth çmimit të dezinfektuesve dhe alkoolit dhe janë duke u marrë me këtë çështje.

“Në takimin lidhur me licencimin e laboratorëve unë i ofrova ministrit Zemaj se AKK-ja do të jetë në gatishmëri të plotë për të mbikqyrë këtë proces. E dini që nga ditët e para kur ka filluar pandemia, autoriteti i Konkurrencës ka marrë gjitha masat për të parandaluar shkeljet e mundshme të konkurrencës. Gjatë muajit prill ka pasur dyshime për shkelje të konkurrencës në raste me shitje të dezinfektuesve dhe alkoolit. E sapo të kemi diçka të re do t’ju informojmë. I bëjë thirrje institucioneve të licencuara që në mënyrë të pavarur të bëjnë caktimin e çmimeve të shërbimeve, e jo ndonjë marrëveshje në dëm të qytetarëve të vendim”, ka thënë Prestreshi.

Të hënën janë licencuar 29 institucione private për testime për COVID-19, 27 prej tyre për të kryer teste serologjike e dy teste PCR, që janë më të sigurta.