Priten rezultatet e mbi 100 të testuarve në Prishtinë

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, në një konferencë për media ka folur për rastet e reja me koronavirus të cilat kanë dalë në Prishtinë të dielën.

Ai ka thënë se 10 rastet e fundit, janë kontakte të një personit që është konfirmuar më herët me koronavirus.

Sipas Ahmetit, ka punuar në një organizatë, e pastaj fëmijët e tij i ka dërguar në dy çerdhe të ndryshme.

“Në Prishtinë këto 10 raste kanë të bëjnë vetëm me një person, dhe të gjitha këto janë nga një person që ka pasur shumë kontakte. Ka punuar në një organizatë, pastaj janë dy fëmijët e tij në dy çerdhe të ndryshme. Nesër do t’i testojmë fëmijët e këtyre çerdheve. Mbrëmë kemi vendosur që t’i mbyllim çerdhet dhe t’i dezinfektojmë hapësirat dhe edukatorët janë në shtëpi”, ka thënë ai duke shtuar se sot janë testuar mbi 100 persona dhe nesër priten rezultatet e tyre.

Ndërkaq për mbylljen e çerdhes “Xixëllonjat”, ai ka thënë se burri i një edukatoreje ka rezultuar pozitiv, me ç ‘rast si masë parandaluese për shpërndarjen e koronavirusit, kanë vendosur që çerdhja të mbyllet.

“E kemi mbyllur edhe çerdhen ‘Xixëllonjat’ kjo për shkak se burri i një edukatoreje ka dalë pozitiv, ne po presim që të shohim se cili është rezultati. Nuk kemi vend për panik e as për t’u kthyer në masat e mëhershme, nuk do të hezitojmë të mbyllim çerdhe e lokale nëse i konsiderojmë vatra të virusit”, ka thënë ai.

Ahmeti ka shtuar se në masë të madhe nuk janë duke u respektuar masat e parapara nga IKSHPK-ja.

“Nuk dua ta stigmatiozjmë një prind i cili nuk e ka ditur nëse është pozitiv dhe i ka dërguar fëmijët në çerdhe, mirëpo nëse dyshon është mirë të kihet kujdes. Sot kemi një pacient që ka rezultuar pozitiv, por mendon ende që nuk e ka virusin. Edhe pse nuk keni simptoma, mund ta keni virusin”, ka thënë ai.

Ahmetia ka thënë se faza e tretë e rihapjes ka sjellë raste të reja, por duhet pasur kujdes që të mos përsëritet gjendja e Maqedonisë së Veriut.